Deputeti socialist Erjon Braçe publikoi dy kontrata të lidhura nga Ministria e Bujqësisë në vitin 2016, me kompani në  pronësi të familjes Balili për dhënien e 110,4 ha tokë në Delvinë e Gjirokastër. Sipas tij këto kontrata janë dhënë nga Ministri i LSI-së Edmond Panariti, në kohën kur Klement Balili ishte në kërkim nga partnerët e huaj dhe kur autoritet vendase kishin vënë nën sekuestro pronat e tij.

Erjon Braçe:

“Kjo është një kontratë e nënshkruar në datën 20.05.2016 midis Ministrisë së Bujqësisë dhe kompanië Balili and Co sh.p.k., ku Ministria e Bujqësisë vë në dispozicion të kompanisë Balili 21.4 hektorë tokë bujqësore në Buronj të Delvinës. Kompania administrohet nga Bashkim Balili, një prej familjarëve të Kelmend Balilit. Kjo kontratë është lidhur kur partnerët tanë në vendin fqinj po edhe agjencitë ligjzbatuese në Tiranë shpallën në kërkim Kelmend Balilin. Kjo është një tradhëti shumë e madhe, e rëndë që i bëhet Policisë së Shtetit dhe organeve ligjzbatuese në këtë vend.

Kjo është një kontratë e dytë e lidhur në datën 06.07.2016, vetëm dy muaj pasi Kelmend Balili u shpall në kërkim dhe pronat e gjithë familjes Balili bastiseshin nga policia në kërkim të tij. Kjo është një kontratë dhënë nga partia e tyre për këta njerëz. Ky nuk është teatër, kjo është kontrata”.

Taulant Balla:

“Në këtë sallë është një ish-ministër Bujqësie, i cili është firmëtar i kësaj kontrate. Është partia e Kelmend Balilit, kallëzime penale për të gjithë ata zyrtarë që kanë shpërblyer me toka bujqësore Kelmend Balilin e kriminelë të tjerë si ky”.

Kryetari i Grupit parlamentar Taulant Balla shkoi më tej kur i kërkoi Ministrit të Bujqësisë që të kallëzojë në prokurori të gjithë ata zyrtarë të LSI-së që kanë shpërblyer me prona Klement Balilin.

Akuzat e socialistëve në adresë të ish ministrit të LSI-së, Edmond Panariti erdhën teksa opozita nuk mori pjesë në interpelenacën që deputeti Braçe zhvilloi me Ministrin e Bujqësisë Niko Peleshi .

Tv Klan