Pas disa variantesh, Ministria e Financave ka dorëzuar pranë Këshillit të Ministrave draftin e fshirjes së detyrimeve tatimore dhe doganore.

Televizioni Klan ka arritur të sigurojë projektligjin, i cili përveç faljes së një pjese të borxheve fiskale të biznesit, përfshin dhe detyrimet që kanë drejtuesit e mjeteve për makinat që nuk kanë paguar taksat.

Përfitues do të jenë biznese dhe individë. Ligji parashikon fshirjen e të gjitha detyrimet tatimore dhe doganore të krijuara deri në vitin 2010-të, ndërsa nga 1 Janari 2011 deri në 31 Dhjetor 2014-të do të fshihen gjobat, duke vënë si kusht pagimin e detyrimeve.

Falje të gjobave pas 2014-ës do të ketë vetëm për dy kategori: ato të Qershorit që u vunë në masë për deklarim të vonuar të punonjësve dhe gjobat e vëna kompanive të kasave fiskale për vonesa në furnizim gjatë aksionit anti-informalitet.

Ata të cilët kanë një makinë dhe rezulton se nuk kanë kryer asnjë veprim me atë që nga viti 2011-të e në vijim, pas hyrjes në fuqi të ligjit do të çrregjistrojnë makinën pa paguar asgjë.

Nëse mjeti do të ripërdoret, duhen paguar të gjitha taksat që prej 2011-ës deri në 2017-tën dhe do të përfitohet vetëm falja e gjobave.

Brenda 6 muajve nga data e hyrjes në fuqi të ligjit, personave të interesuar që nuk do të paraqiten për të kërkuar mbajtjen aktive të mjetit, Drejtoria e Transportit do t’i heqë nga qarkullimi makinën dhe do të bëjë vetë fshirjen e detyrimeve tatimore të tij.

Tv Klan