Ilir Meta do të jetë Presidenti i ri vendit që do të ulet në karrigen e kreut të shtetit në 24 korrik.

Vendimi unanim për kandidaturën e kreut të LSI-së si President  i ardhshëm u mor në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, një ditë pas mbështetjes që dha kryesia e kësaj force politike për Ilir Metën, ndonëse formalisht shqyrtoi së bashku me kandidaturën e tij edhe atë të Ministrit të Drejtësisë, Petrit Vasili.

Deputetëve socialistë në mbledhjen e grupit parlamentar i’u është kërkuar nga kryeministri Rama që të jenë të gjithë prezentë në seancën e plenare të orës 17.00 ku votimi është thjesht një çështje formale.

Mbështetjen për kandidaturën e Metës si president e kanë dhënë edhe çamët e PDIU-së së Shpëtim Idrizit.

Ndërsa kreu i LIBRA-s Ben Blushi përmes një statusi në rrjetet sociale paralajmëroi votën kundër për Metën në seancë plenare.

Ben Blushi, kryetar i LIBRA:

Kur të gjithë duhej të lëshonim dicka për të lehtësuar peshën e anijes së Shqipërisë që po mbytet, ky mori edhe atë pak pushtet që kishte mbetur. Ilir Meta u bë President nga frika dhe jo nga shpresa. Ilir Meta është Presidenti i Rilindjes dhe jo i Popullit. Është Presidenti i të shkuarës jo i të ardhmes”.

Sipas Blushit, kreu i LSI-së tentoi t’i ikë krizës duke u zgjedhur në krye të shtetit.

Tv Klan