Britania vendos t’i japë fund lëvizjes së lirë me Bashkimin Europian. Lajmin e bëri të ditur ministri britanik për migracionin Brandon Ljuis, i cili tha se rregullat e reja do të hyjnë në fuqi në mars të vitit 2019, periudhë që përkon edhe me përfundimin e procesit të daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian.

Ljuis nuk dha detaje se si do të veprohet me emigrantët pas kësaj periudhe apo cilat kategori të të huajve që jetojnë në Britani do të preken më shumë. Por ministri tha se aktualisht po punon për një raport të detajuar, që do të jetë gati në shtator të vitit 2018. Në bazë të këtij raporti do të hartohet edhe legjislacioni i ri.

Qeveria britanike ka premtuar se do të konsultohet edhe me biznesin, sindikatat dhe universitetet, për të parë këndvështrimet e tyre për avantazhet dhe dëmet që do t’i sjellë vendit, anullimi i lëvizjes së lirë me Bashkimin Europian. Një ndër synimet kryesore, sipas ministrit të migracionit është reduktimi i shifrave vjetore të hyrjes së emigrantëve nga 248 mijë në dhjetëra mijëra në vit.

Ndër të parët që ka shprehur shqetësimin për këtë vendim është Konfederata Britanike e Industrialistëve, që i kërkoi qeverisë një pasqyrë paraprake se si parashikohet të jetë sistemi i ri britanik i migracionit. Industrialistët janë mjaft të shqetësuar për dëmin kolosal që mund tu shkaktohet nga largimi i puntorëve të huaj, që përbëjnë një hallkë të rëndësishme për ekonominë britanike. Sipas Konfederatës së Industrialistëve, puntorët nga vendet e Bashkimit Europian e kanë forcuar biznesin dhe kanë përmirësuar shërbimet publike.

Sekretarja e brendshme Amber Rudd tha legjislacioni i ri duhet të vijojë tërheqë atë kategori imigrantësh, të cilët i sjellin Britanisë përfitime ekonomike, sociale e kulturore. Ndërsa sekretari për çështjet e jashtme Boris Xhonson thotë se imigracioni i ka sjellë ekonomisë britanike, energji dhe dinamizëm fantastik. Por pavarësisht kësaj, kjo nuk do të thotë se shteti e ka plotësisht nën kontroll lëvizjen e lirë, që ka ndikuar në rritjen tejmase të niveleve të kriminalitetit dhe punësimit në të zezë.

Disa deputetë Liberal-Demokratë thonë se goditjen më të madhe për periudhën e paqartësisë për legjislacionin e ri do ta marrë shërbimi shëndetsor. Ata druhen se një numër i madh infermierësh nga vendet e Bashkimit Europian do duhet të largohen nga Britania e Madhe, duke i lënë spitalet në mëshirë të fatit. Ndaj dhe kërkuan kujdes në implementimin e rregullave të reja për migracionin./Abc News