Qendra historike e qytetit bregdetar të Vlorës do t’i nënshtrohet një transformimi që do të ruajë arkitekturën ekzistuese të ndërtimeve që datojnë në shekullin e 19-të dhe fillim shekullin e 20-të. Një premtim ky i bërë më herët edhe në fushatë nga Kryeministri Edi Rama, punimet për të cilin nisën si pjesë e një projekti mes qeverisë shqiptare dhe Fondit Amerikan të Zhvillimit, që kap vlerën e 11 milionë eurove.

Si në të gjitha rastet e tjera, i kemi ndarë dhe detyrat edhe barrën e përgjegjësisë, qoftë për financimin, qoftë për koordinimin e të gjitha operacioneve brenda këtij operacioni sepse këtu bëhet fjalë për një punë që nuk është thjesht ajo që do të bëhet mbi këtë që kemi, por ka të bëjë edhe me gjithë rindërtimin e rrjetit elektrik, ka të bëjë me gjithë rindërtimin e rrjetit të ujësjellësit. Kështu Fondi do financojë rreth 4 milion euro, qeveria rreth 7 milion dhe me një volum të konsiderueshëm, por plotësisht të arsyeshëm, ne do t’i japim gjithë kësaj zone të Vlorës një pamje dhe një përmbajtje tërësisht të re dhe besoj që do t’i krijojmë, jo vetëm të gjithë banorëve të zonës, por gjithë komunitetit, një tjetër burim të rëndësishëm zhvillimi ekonomik dhe mirëqenie sociale, përveç se edhe një tjetër arsye për të qenë krenarë për Vlorën.

Projekti përfshin jo vetëm qendrën përpara bashkisë së qytetit, por edhe një ndër rrugët në të cilën ndodhen monumente kulturore të kategorisë së parë me vlera arkitektonike-historike, siç është ajo “Justin Godard”, një ndër arteriet kryesore të Vlorës në periudhën e Rilindjes.

Përpjekja për të ruajtur gjithçka që ka mbetur nga e shkuara, do të materializohet edhe në restaurimin e thellë të shtëpisë së Marigosë ku u qëndis flamuri kombëtar e që sot është në një gjendje të mjerueshme, Xhamisë së Tabakëve, rrugës së Hebrenjve, Sheshit të Sahatit. Përpara Bashkisë do krijohet një shesh i konsiderueshëm që do t’i japë dhe rëndësinë e duhur edhe godinës kryesore administrative të qytetit, por edhe do t’i japë një frymëmarrje të re gjithë asaj pjese të kësaj zone ku është Bashkia.

Për Kryeministrin Rama, njëherazi edhe deputet i zonës edhe pse rikualifikimi i qendrës historike të Vlorës erdhi pas rilindjes së disa qyteteve si ai i Gjirokastërs, Beratit apo Krujës, ky projekt krahas zhvillimit të turizmit do të jetë edhe një ndër më të bukurit.

Vlora është e teta në një zinxhir projektesh që kanë bërë diferencën dhe kanë qenë në fakt edhe kartëvizitat më prestigjioze të “Rilindjes Urbane” dhe kanë sjellë punësim, kanë sjellë zhvillim, kanë sjellë turizëm më shumë, kanë sjellë më shumë vizitorë e kjo është një arsye për të vazhduar më tutje.

Në kuadër të nisjes së projektit u nënshkrua edhe një marrëveshje mirëkuptim mes Fondit Amerikan të Zhvillimit, Bashkisë së Vlorës, Ministrisë së Kulturës dhe asaj të Energjisë.

Tv Klan