Vajza e Presidentit Donald Trump, Ivanka do të ketë një zyrë në Shtëpinë e Bardhë. Lajmi është bërë i ditur nga një zyrtar i administratës, sipas të cilit ajo nuk do të ketë një titull apo rrogë.

Zyrtari konfirmoi gjithashtu se 35 – vjeçarja do të ketë akses në informacione të klasifikuara.

Avokati i saj, duke folur për

Politico

tha se roli i Ivankës do të jetë që të shërbejë Donald Trump si “sy e veshë”, ndërsa do t’i ofrojë atij këshillën e saj.

35 – vjeçarja e cila ka linjën e saj të veshjeve do t’i bashkohet kështu bashkëshortit të saj Jared Kushner, aktualisht këshilltar i Presidentit.

Influenca e çiftit tek presidenti amerikan ka ngritur një sërë pyetjesh për konflikte të mundshme interesi.

Ka shkaktuar gjithashtu debate nëse ekzistojnë barriera mes aktiviteteve politike dhe bizneseve të familjes Trump.

Që prej marrjes së detyrës nga babai i saj, Ivanka ka qenë e pranishme në takimet e tij me liderët botërorë, përfshirë Kryeministrin kanadez, Justin Trudeau dhe Kancelaren gjermane Angela Merkel./tvklan.al