Nga sot testi negativ i tamponit dhe karantinë 7-ditore

Pas 5 ditësh me radhë kilometrike, situata në pikat kufitare të Kakavijës dhe Kapshticës është normalizuar. Mëngjesin e së hënës në të dyja pikat kufitare me Greqinë, nuk ka patur asnjë mjet në radhë.

Pjesa më e madhe e emigrantëve dhe qytetarëve të tjerë kanë kaluar drejt Greqisë, ku gjatë natës pala greke mbajti hapur kufirin.

Në Kapshticë dogana sot është mbyllur, ku asnjë mjet nuk pret në radhë. Ndërkohë nga sot Greqia nis rregullat e reja për të kaluar kufirin. Drejt vendit fqinj mund të udhëtojnë vetëm ata persona që kanë një leje qëndrimi, pasaportë greke ose punëtorët sezonalë.

Për të hyre në Greqi duhet që të kryeni testin e COVID-19 të bërë brenda 72 orëve të fundit, dhe përgjigjia të jetë negative. Nga pika kufitare e Kakavijës do të lejohet të futen në Greqi 750 persona, kurse nga Kapshtica 300 persona.

Ndërkohë Kryeministri Edi Rama ka falenderuar të gjithë ata që kontribuan në normalizimin e situatës në Kakavijë, duke përfshirë qytetarët. Rama bëri apel që nga sot të ndiqen rregullat anti-Covid që Greqia ka miratuar dhe të mos nisen pa u siguruar se mund të kalojnë kufirin.

Tv Klan