Të ftuar:

Artan Hoxha – Gazetar

Lorenc Vangjeli – Analist

Mark Marku – Petagog

Basir Çollaku – Gazetar

Drejtuesi i emisionit “Xhungel”, Artan Hoxha është shprehur se shkarkimi i Prokurorit të Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj është bërë me ndërhyrje të ambasadës amerikane.

Hoxha tha të mërkurën në studion e emisionit “Opinion”, se shkarkimi është kryer me ndërhyrjen e amerikanëve, pasi deklarata e sotme fliste për një veprim të tillë.

“Ky është një moment me rëndësi që Shqipëria të demonstrojë se hetimet me profil të lartë publik mund të ecin përpara pa ndërhyrje politike. Prokurorja e Përgjithshme thotë se ka emëruar Znj. Prela në mënyrë që çështjet me përparësi të përfundohen në mënyrë më të shpejtë dhe më të efektshme”, citohet nga ambasada amerikane.

Analisti Lorenc Vangjeli, të mërkurën, është shprehur se askush nuk mund të ndikojë në hetimin e nisur nga Besim Hajdarmataj për çështjen Tahiri.

Vangjeli deklaroi në studion e emisionit ‘Opinion’, se me ndryshimet kushtetuese, ai nuk merr asnjë urdhër nga eprori i tij, pasi prokurori është autonom në hetimin e çështjes Tahiri.

Ai tha se askush nuk mund të devijojë hetimet rreth kësaj çështjeje, pasi sipas ligjit, asnjë nuk mund t’a udhëzojë apo t’a influencojë rreth hetimit të nisur kohë më parë nga vetë ai.

“Ky zotëri e çoi dosjen, e hetoi dhe trokiti në derën e Parlamentit, pra ky prokuror e ka dhënë një provë se është i vendosur për të bërë këtë gjë. Nëse ai është i vendosur për ta vazhduar këtë çështje, askush nuk mund të ndikojë në hetimin e tij”, – theksoi Vangjeli.

Më tej, ai deklaroi se për shkarkimin e tij, nëse i referohesh ligjit, ka një shkelje të tij, pasi kryeprokurorja nuk nxori një nen ku e bazonte shkarkimin e saj. Vangjeli u shpreh se shkarkimi i Hajdarmatajt është komplet në shkelje të ligjit.

Gazetari investigativ, Artan Hoxha, ka zbuluar detaje të reja në lidhje me grabitjen e ndodhur pak ditë më parë në qytetin e Durrësit.

Hoxha ka hedhur hije dyshimi mbi vjedhjen e çantës së korrierit të Prokurorisë së Durrësit dhe dokumentacionit që ndodhej në të.

I ftuar të mërkurën në emisionin “Opinion”, deklaroi se një ndër dokumentet më të rëndësishme që ndodheshin në çantë, ishte edhe ekspertiza për një çështje trafikimi droge.

“Sipas informacioneve të mia, brenda çantës së korrierit të prokurorisë ndodhej ekspertiza për një çështje trafiku droge”,- tha Hoxha.

****************************

Të panjohurat e luftës së dytë botërore!

Artan Lame – Studiues

Studiuesi Artan Lame ka qenë mbrëmjen e së mërkurës i ftuar në emisionin “Opinion”, në një bisedë për Luftën e Dytë Botërore, pikërisht në ditën e 73-vjetorit të përfundimit të saj.

Ndër të tjera, Lame është pyetur edhe për numrin e shqiptarëve të vrarë gjatë kësaj periudhe.

“Kjo është një temë të cilës i iki si djalli nga temiani”, u shpreh Lame, megjithatë ai pohoi se deri në vitin ’80 vetë Komandanti (referuar Hoxhës), thoshte që janë 6 mijë dëshmorë.

Megjithatë Lame tha se duhen diferencuar ushtarakët nga civilët e përfshirë dhe vrare në luftë.