Zgjerohet më tej rrethi i Paradise Papers, skandali i fshehjes dhe mashtrimit të të ardhurave personale, që përfshiu politikanët më të rëndësishëm të globit.

Këtë herë në lupën e gazetarëve investigativë ra Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson. Emri i shefit të diplomacisë amerikane del në një dosje të një kompanie offshore me seli në ishullin e Bermudës, ku Tillerson ishte drejtor. Kompania në fjalë ishte e përfshirë në një marrëveshje multi-miliardëshe të gazit në Lindjen e Mesme, me divizionin e Exxon Mobil për Jemenin, e cila u shoqërua nga dyshime të mëdha.

Një tjetër bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit Trump i përfshirë në skandal është këshilltari ekonomik, Gary Coh, një nga emrat kryesorë të skuadrës së Trump në luftën që presidenti i shpalli kompanive të mëdha amerikane që kryejnë aktivitet jashtë SHBA-ve.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë vendi më i dëmtuar nga fshehja e të ardhurave. Sipas Nju Jork Tajms, çdo vit amerikanët humbasin 240 miliardë dollarë nga paratë që mbahen në parajsat fiskale.

Në Paradise Papers figuron edhe një çmim Nobel për Paqen. Ai është presidenti kolumbian, Juan Manuel Santos. Kreu i shtetit rezulton se ishte drejtuesi i një zyre offshore, në ishujt Barbados, deri në vitin 2001, kohë kur njëherësh ishte emëruar ministër financash në Kolumbi.

Rrjeta investigative e mbi 400 gazetarëve kapi edhe djemtë e kryeministrit turk Binali Jëlldërëm, Erkam dhe Bulent, të akuzuar për bashkëpunim me shoqëri në Maltë. Në listë janë gjithashtu edhe 3 ish-kryeministra kanadezë, Mbretëresha e Jordanisë dhe zv/kryeministri ukrainas.

Ndërkohë, sa i përket gjigantit amerikan të telefonisë, Apple, mësohet se kompania ka fshehur mbi  230 miliardë dollarë në ishullin e vogël britanik të Jersey, në kanalin e La Manshit, një parajsë fiskale në qendër të Europës, pikërisht nën hundët e Mbretërisë së Bashkuar.

Tv Klan