Pas gafës së madhe, Moonlight fiton “Oscar”



Oscar-in për filmin më të mirë të vitit 2016 e fitoi “Moonlight”, pasi çmimi fillimisht iu dha gabimisht filmit “La La Land”.

Ceremonia, e organizuar nga Akademia e Arteve dhe Shkencave në SHBA, u përfshi nga kaosi, kur prezantuesja Faye Dunaway gabimisht njoftoi se “La La Land” ka fituar çmimin kryesor.

Pasi aktorët dhe ekipi i filmit pranuan çmimin, u dha njoftimi se “Moonlight” ka fituar në të vërtetë. Përpara përfundimit kaotik, ceremonia u zhvillua normalisht, edhe pse ka pasur deklarata politike dhe kritika ndaj presidentit amerikan, Donald Trump, përfshirë sulme për politikat e tij të eimigrimit.

Një prej deklaratave më të fuqishme erdhi prej regjisorit iranian, Asghar Farhadi, filmi i të cilit “The Salesman” fitoi Oscar në kategorinë e filmit më të mirë në gjuhë të huaj.

Farhadi bojkotoi ceremoninë në shenjë proteste ndaj përpjekjeve të Trumpit për të goditur eimigrantët. Inxhinierja iraniane, njëherësh turiste në hapësirë, Anousheh Ansari, e mori çmimin në emër të Farhadit.

“Më vjen keq që nuk jam me ju sonte. Mungesa ime është nga respekti për njerëzit e vendit tim dhe ata të gjashtë vendeve të tjera, që janë përçmuar me ligjin çnjerëzor, i cili u ndalon emigrantëve hyrjen në SHBA”, tha regjisori Farhadi në deklaratën që e lexoi Ansari.

“Ndarja e botës në ‘ne’ dhe ‘armiqtë tanë’ krijon frikë, një arsyetim të rremë për agresion dhe luftë”, tha regjisori iranian.

Filmi i tij “The Salesman” është një dramë, e bazuar në Teheran, që flet për luftën e një çifti të martuar, pasi gruaja është sulmuar në apartament, derisa ishte vetëm.

“La La Land”, një muzikal, i nominuar për 14 Oscar-e, fitoi gjashtë, përfshirë çmimin për aktoren më të mirë dhe regjinë më të mirë.

Prezantuesi tjetër i ceremonisë në Llos Angjelles, Warren Beatty, bëri pauzë para se të lexonte emrin e fituesit të madh. Ai tha më vonë se ka hezituar kur ka parë zarfin që lexonte emrin e aktores më të mirë, Emma Stone, nga “La La Land”, por që u mor dhe u lexua gabimisht nga kolegia e tij.
“Nuk është shaka. Moonlight ka fituar”, tha Beatty, duke treguar zarfin nga kamera. Filmi “Moonlight” trajton rritjen e një djali, duke kaluar një fëmijëri të rëndë në Majami, me një nënë të varur nga droga. Një dokumentar për luftën në Siri, ndërkaq, i titulluar “The White Helmets” fitoi Oscar për dokumentarin më të mirë të shkurtër.

Çmimin e aktorit më të mirë e mori Casey Affleck për rolin në filmin “Manchester by the Sea”. Oscar-in për aktorin më të mirë mbështetës e mori Mahershala Ali në filmin “Moonlight”, ndërsa të aktores më të mirë mbështetëse e mori Viola Davis në filmin “Fences”./tvklan.al

Kategori
KulturëLajmet KryesoreTë gjithaVideo
0 Komente

Përgjigju

*

*