Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi e shpjegon me një fjali të vetëm situatën e sigurisë ushqimore në produktet me bazë shtazore, të cilat janë edhe më të dëmshmet për shëndetin.

“Ne jemi akoma në gjendje Mesjetare në disa fusha. Tregtimi i kafshëve që vazhdon të jetë në tregje jashtë skandaloze, mesjetare. Media, emisionet investigative sidomos, kanë bërë një punë disa herë më të rëndësishme sesa ky institucion, apo të gjitha institucionet e tjera të sigurisë ushqimore sëbashku në të gjitha vitet e tranzicionit të marra sëbashku.”

Por prej disa ditësh, qeveria ka nisur një reformë në sektorin e qumështit, e cila për kreun e Ministrisë së Bujqësisë nuk ka kthim mbrapa, si model për t’u zbatuar është marrë ai i Irlandës, i cili ka standardet më të sigurta për qumështin. Pikat e grumbullimit dhe baxhot që do të gjenden me ndotje mikrobike të lartë do të mbyllen, e në bazë të gjetjeve, subjekte të caktuara mund të shkojnë për ndjekje penale.

“Dikush që nuk mbijeton dot, do të mbyllet dhe do të alokohet në një investim tjetër, nëse do. Nëse nuk do, kjo nuk është çështja jonë. Të ndëshkohen ato veprimtari që kanë të bëjnë me jetën, me ushqimin.”

Por përveç “kërbaçit” , Peleshi thotë se ministria do të japë edhe “kulaçin” për biznesin që respekton normat e sigurisë ushqimore. Skema e subvencioneve do të arrijë të financojë deri në 70% të vlerës së mjeteve që duhen për mjeljen, transportin dhe grumbullimin e qumështit.

“Të gjithë fermerët, që kanë ferma bujqësore me 15 lopë e lart, ferma blektorale dhe që arrijnë ta nxjerrin qumështin të cilësisë së parë, do të marrin 1 qind lekë për litër subvencion, pra pagesë direkte përmes AZHBR.”

Por çfarë do të ndodhë me fermerët që tregtojnë qumësht në rrugë me bidona?

“Jashtë dyqaneve nëpër rrugë, në ambiente të palicensuara, të pa autorizuara për këtë qëllim, ky është risku i konsumatorit. “

Kontrollet për qumështin do të ndjekin të gjithë zinxhirin se si është prodhuar ky produkt, që nga kafsha, e cila duhet të jetë e matrikuluar e deri te mënyra se si është mjeluar, grumbulluar dhe transportuar. Pikat e përpunimit që nuk janë të përshtatshme do të mbyllen, ndërsa bizneset e mëdha që nxjerrin një produkt me vlera të larta ushqimore do të subvencionohen.

Tv Klan