Jo vetëm fëmijët, por tani edhe të rriturit kanë një hapësirë më shumë në parkun e Liqenit Artificial të Tiranës. Nisma “Luaj Tirana”, e cila po shtrihet në të gjithë kryeqytetin me krijimin e hapësirave argëtuese për fëmijë e të rritur, ka sjellë këndin e dytë të forcës te liqeni, ku janë vendosur disa pajisje force për ata që duan të ushtrohen në natyrë. Këndi i ri i forcës u përurua nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili vlerësoi angazhimin e Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit për t’ua kthye parkun njerëzve.

“Çdo ditë shohim një ndryshim te Liqeni, jo vetëm mjedisi është më i pastër, por tani është edhe më çlodhës. Mënyra se si vërtetohet kjo është prania e 275 mijë qytetarëve të Tiranës që e frekuentojnë rregullisht këtë hapësirë. Kjo na bën të kuptojmë se, siç fëmijët kanë nevojë për kënde lojërash (në të gjithë Tiranën kemi bërë rreth 10 të tillë), ashtu edhe të rriturit kanë nevojë për një kënd ku mund të ushtrohen fizikisht në natyrë, për pistë vrapimi apo biçikletash”,

u shpreh Veliaj.

Kreu i Bashkisë deklaroi se hapësira të tëra, që më parë ishin zaptuar, janë kthyer në hapësira publike për qytetarët, ndërsa shtoi se ky kënd i ri vjen edhe si një inkurajim për t’u marrë më shumë me aktivitete sportive.

“Me këtë kënd force propozojmë një alternativë ndryshe nga interneti, bingot, bastet dhe kafet; një hapësirë në natyrë, në ajër të pastër, me të gjitha kushtet, si një palestër në ajër të hapur, e cila mund të shijohet nga të gjithë qytetarët e Tiranës, frekuentues të Parkut të Liqenit

”, tha ai.

Duke garantuar se investimet e Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e këndeve dhe parqeve të reja do të vijojnë edhe në pjesë të tjera të qytetit, kryebashkiaku Veliaj theksoi se kur bashkia lihet të punojë, investimet përfundojnë brenda një kohe të shkurtër.

“Sot, besoj, s’ka asnjë dyshim se kur Bashkia lihet të punojë, ne i mbarojmë investimet në kohë rekord. Ky kënd është investim i vogël, por me rëndësi të madhe në cilësinë e jetës së qytetarëve. Sigurisht, do të vijojmë edhe me parqet e tjera. Tashmë, ka ardhur koha që vëmendjen ta kthejmë te investimet tona në parqet e Kasharit, Farkës, Dajtit dhe Pezës, për t’u siguruar që Tiranës i trashëgojmë 4-5 parqe”,

shtoi ai.

Kreu i Bashkisë falenderoi anëtarët e Këshillit Bashkiak dhe përfaqësuesit e njësive administrative për marrjen e vendimeve të rëndësishme në të mirë të qytetarëve.

“Falenderoj kontributin e APR, por edhe të kolegëve të Këshillit Bashkiak, të njësisë administrative, pa të cilët nuk mund të miratojmë vendime të rëndësishme, se si e kthejmë më shumë Tiranën te puna e jo te dhuna. E di që ka debate nga më të ndryshmet, megjithatë njerëzit e kanë kuptuar se është shumë e rëndësishme që politika të fokusohet te puna, të prodhojë rezultate konkrete, të mos merret me llogje e sharje, shpifje e stërkëmbësha, por t’i kushtojë vëmendje gjërave të prekshme për njerëzit. Ky është edhe fokusi i Bashkisë së Tiranës, gjërat e prekshme, jo dhuna e llogjet”

, tha Veliaj./tvklan.al