230 euro gjobë kanë paguar disa tifozë shqiptarë të cilët po ktheheshin nga Franca dhe në automjetin e tyre kishin të stampuar flamurin kuqezi. Ngjarja e pazakontë ka ndodhur në qytetin bregdetar të Budvas në Mal të Zi.

Sipas të përditshmes malazeze “Vijesti”, gjykata e Budvas e ka cilësuar si provokim veprimin e shqiptarëve që po ktheheshin nga Franca. Sipas autoriteteve të vendit fqinj, gjatë kalimit në Budva ata kanë kënduar dhe kanë shkaktuar zhurmë.

Siç raportojnë dëshmitarët në vendngjarje, në automjetin e shqiptarëve tip “Golf”, në pjesën e përparme dhe në pjesën e bagazhit ka qenë i stampuar flamuri i Shqipërisë.

Pas njoftimit në policinë lokale, kjo e fundit ka ndaluar mjetin tip “Wolkswagen Golf”, në të cilin ishin katër persona dhe kanë bërë shoqërimin e tyre për në Komisariatin e Budvas. /TV KLAN