Rinovimi i Kombëtares do të vijojë. Trajneri kërkon të grumbullojë sa më shumë lojtarë të rinj të talentuar për të krijuar grupin me të cilin do të përballojë kualifikueset e europianit 2020. Në objektivat afatshkurtër, Panucci do të shohë nga afër 5 – 6 lojtarë.

“Do kemi grumbullim edhe në mars. Kemi shumë lojtarë të tjerë për të provuar. Në 6 muaj kohë do ndërtojmë grupin e plotë për kualifikueset e europianit. Kemi 5 ose 6 lojtarë për t’i pare nga afër sepse i kemi parë vetëm me video. Me siguri që do kemi prurje të reja në mars.”

Disa ditë pas miqësores me Turqinë, Christian Panucci, vlerësoi skuadrën për mënyrën si luajti në Antalya.

“Kishte dy ndeshje në Antalya. Ndaj Turqisë në pjesën e parë treguam cilësinë e të gjithë punës që bëmë Antalya. Luajtëm një futboll të shkëlqyer. Në pjesën e parë kishim shumë kualitet, ndërsa në pjesën e dytë kur mbetëm me 10 lojtarë, luajtëm me karakter. U shfaq ai karakter që unë dëshiroj, duke mos toleruar asgjë. Futbollistët kanë qenë të jashtëzakonshëm gjatë qëndrimit në Antalya, rezultati i ndeshjes është produkt i këtij qëndrimi profesionist.”

Ndoshta edhe falë fitores në Antalya ndaj Turqisë Kombëtarja fitoi 9 vende në renditjen e FIFA-s për këtë muaj. Kuqezinjtë gjenden në vendin e 62-të.

Tv Klan