Ky është Salman Abedi, 22-vjeçari i lindur dhe i rritur në Britaninë e Madhe, i transformuar në një ushtar të Shtetit Islamik. Abedi, me origjinë libiane, u mori jetën 22 personave, shumica adoleshentë që po ndiqnin koncertin e yllit të popit, Ariana Grande në Manchester Arena.

Salman Abedi ishte i njohur nga shërbimet e inteligjencës britanike. Ai jetonte vetëm 5 km larg qendrës së Manchesterit, në një zonë periferike të quajtur Fallowfield.

Gazeta britanike The Sun shkruan se 22 vjeçari kishte marrë trajnime të fshehta nga xhihadistët, gjatë udhëtimeve familjare në Siri. Familja Abedi, me origjinë nga Libia, emigroi në Britani. Sipas The Sun, Salman kishte vizituar rregullisht gjatë viteve të fundit Libinë dhe Sirinë.

Hetuesit besojnë se ai nuk ka vepruar i vetëm, ndaj fokusi i hetimeve është gjetja e bashkëpunëtoreve që kërcënojnë sërish Britaninë, e cila u zgjua të mërkuren nën nivelin më të lartë të kërcënimit.

Shërbimet e inteligjencës thonë se një tjetër sulm terrorist ka gjasa të prekë ishullin.

Me urdhër të kryeministres May, ushtria britanike do te survejojë çdo koncert, ndeshje futbolli dhe aktivitete të tjera publike, për të shmangur kërcënimet e ardhshme.

Njoftimi për kalimin nga niveli “i ashpër” në atë “kritik” të sigurisë kombëtare, erdhi pas një mbledhje emergjente të kabinetit të sigurisë.

I riu hodhi veten në erë në një nga hyrjet e Manchester Arena, sapo Ariana Grande përfundoi këngën mbyllëse të koncertit.

Tv Klan