Një qeveri minorance për Gjermaninë. Kjo është një prej alternativave më të diskutuara në politikën gjermane, teksa kancelarja gjermane Angela Merkel nuk po gjen dot partnerë për bashkëqeverisje.

Në rolin e negociatorit për zgjidhjen e ngërçit, presidenti Shtajnmajer ka si pikë më të rëndësishme të axhendës së ditës takimin me kreun e socialdemokratëve Martin Shulc.

Siç shkruan e përditshmja “Die Zeit”, Shulc pritet të japë mbështetje për një qeveri të drejtuar nga Merkel por pa u bërë pjesë e saj. Shkurt, ta ketë nën kontroll. Por Merkel e ka refuzuar qeverinë e minorancës, duke u shprehur se ishte më mirë të shkonte në zgjedhje të reja. Të përçarë për këtë propozim janë edhe vetë socialdemokratët.

Sytë nga Gjermania i ka e gjithë Europa. Siç shprehen analistët, Merkel është liderja de facto e Bashkimit Europian. Ndaj dhe çdo zhvillim politik ndiqet me mjaft interes si për negociatat për Brexit-in, ashtu edhe për përparimin e procesit të anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor, ku Gjermania ka rol promotor.

Tv Klan