Qyteti i Beratit është në fokus të prestigjiozes që boton guidat më të famshme në botë për udhëtimet, ‘Lonely Planet’, për të cilën thotë se ia vlen të vizitohet. Nga ushqimi tradicional në fermat e zonës dhe deri tek ekskursione në malin e Tomorit, janë vetëm disa nga ato që qyteti i ‘një mbi një dritareve’, ofron për vizitorët.

Kjo prestigjioze ndalet tek dy lagjet më kryesore të Beratit, Gorica dhe Mangalemi, të cila ndahen nga Osumi, që karakterizohen nga shtëpitë e lashta tradicionale, kopshtet me lule, si dhe muzetë interesantë. E tek kjo e fundit jep si sugjerim të vizitohen ai i Solomonit dhe Onufrit. Muzeu Solomon është një muze kushtuar historisë së hebrenjve të shpëtuar nga shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore.  

Shqipëria ishte i vetmi vend në botë që nuk dorëzoi as edhe një hebre nazistëve, thuhet në artikull. Muzeu tjetër i rëndësishëm në Berat, Onufri, kushtuar ikonografisë së piktorit shqiptar me të njëjtin emër, është i mbyllur brenda mureve të Kalasë së Beratit. Për të shkuar në këtë pikë turistike të rëndësishme të qytetit mjafton të ngjitesh në majë të kalasë, duke ecur përgjatë rrugëve të heshtura me kalldrëm.

Kanionet e Osumit janë një parajsë tjetër për adhuruesit e aktiviteteve në natyrë. Një panoramë që është e vështirë të harrohet, shkruhet në artikull. Shijet e kuzhinës tradicionale, por edhe kantinat e ndryshme të verës janë disa nga gjërat e tjera që rekomandohet që udhëtarët të mos humbasin gjatë udhëtimit në qytetin historik tashmë të vlerësuar nga shumë media të huaja për trashëgiminë e veçantë.

Klan News