Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur që ta komentojë protestën e opozitës me anë të një statusi në rrjetet sociale.

Teksa kujton vitimat e 21 Janarit, Rama shprehet se pikërisht në këtë bulevard ku u vranë 4 persona, sot protestohet pa gardhe telash me gjemba e pa frikë nga shtetit. Kreu i qeverisë e konsideron këtë një ndryshim rrënjësor, në rrugën për të bërë shtet.

Sipas Kryeministrit, kjo rrugë

 

padiskutim ka rezistencë e pakënaqësira të natyrshme. Ai thotë se qeveria e drejtuar prej tij do të ndjekë e dëgjojë me respekt, çdo shprehje pakënaqësie të pakicës, por nuk thekson se nuk do të ndalet asnjë minutë në përmbushjen e misionit për të bërë shtet.

“Vetëm 6 vjet më parë, Ziveri, Hekurani, Aleksi, Faiku u vranë nga pushkët e shtetit të kapur prej pushtetit, pikërisht në bulevardin ku në këtë moment protestohet, pa gardhe telash me gjemba dhe asnjë frikë e trysni nga shteti. Prandaj s’mund të mos jemi sot krenarë, edhe për këtë ndryshim kaq rrënjësor në rrugën tonë për të bërë shtet, ku padiskutim ka rezistencë e pakënaqësira të natyrshme.

Është padyshim një rrugë shumë e vështirë. Reformat e vërteta nuk janë aspak të lehta, madje shpesh janë operacione mjaft të dhimbshme. Por s’ka asnjë të ardhme të sigurt për vendin, shoqërinë, fëmijët tanë, pa i operuar me kurajo pjesët e kalbëzuara në vite të organizmit të shtetit. Shumica dërrmuese e shqiptarëve e kuptojnë këtë. Ata janë të vetëdijshëm edhe për vështirësitë, edhe për domosdoshmërinë e reformave.

Shqipëria dhe shqiptarët e lënë 25 vjet në baltën e një tranzicioni të gjatë pa reforma, meritojnë vazhdimin me vendosmëri të tyre, e veçanërisht të reformës në drejtësi! E cila duhet zbatohet një orë e më parë duke filluar nga vettingu. Ne do të ndjekim e dëgjojmë me respekt, çdo shprehje pakënaqësie të pakicës, por nuk do të ndalemi asnjë minutë në përmbushjen e misionit tonë për të bërë shtet.

Ju uroj të gjithëve një fundjavë të mbarë!”,

shkruajti Kryeminsitri. /tvklan.al