Kryeministri Edi Rama insiston për ta zgjedhur Kryeprokurorin e përkohshëm në konsensus me opozitën. Ndaj ai e përsëriti sërish ftesën kundrejt saj.

“Duke respektuar legjislacionin në fuqi për të zgjedhur prokurorin e përkohshëm të përgjithshëm qoftë edhe me shumicë të thjeshtë, gjë që është mbështetur qartësisht, sepse kështu e thotë ligji, nga partnerët tanë ndërkombëtarë, nuk do të rresht deri në sekondën e fundit ftesën për opozitën të bëhet pjesë e procesit”.

Në mbledhjen e grupit parlamentar i kujtoi opozitës së pasuesi i Adriatik Llallës mund të zgjidhej vetëm me kartonat e shumicës në parlament, por theksoi se bashkëpunimi është i rëndësishëm për vendin, tani në prag të hapjes së negociatave. 

“Sot përsëri ne jemi shumica që e shikon këtë çështje jo me syrin e momentin, jo me qëllime të tjera, përpos qëllimit strategjik të vendit tonë, i cili është në radhë të parë për çeljen e negociatave…

Nëse opozita nuk tregon interes për vendin në këtë moment ne do të zgjedhim prokurorin e përgjithshëm të përkohshëm me shumicë të thjeshtë, por duhet të luftojmë deri në fund për të arritur një marrëveshje. Opozita mund të vazhdoj në ato kauza që ajo i quan të drejta në luftën e saj kundër qeverisë. Mund të vazhdoj debatin politik të ditës së ta dojë në shqip, por kur bëhet fjale për anglisht, duhet të bëhemi të gjithë një”.

Akuzave te opozitës se mazhoranca po vepron në shkelje të Kushtetutës, kryeministri u vuri sërish përballë qëndrimin e Ambasadës Amerikane dhe ambasadës së Bashkimit Europian.

“Se nuk mundet dot që avazi të fillojë gjithnjë nga e para sa herë flitet për zbatimin e reformës, nuk ka mundësi që as ne, SHAB dhe BE të mos lexojnë dot ligjin ashtu si duhet dhe vetëm opozita na qenka në gjendje të bëjë leximin e duhur, është e qartë, njerëzit e kuptojnë shumë mirë, por koha, momenti strategjik i vendit është i tillë që duhet tu japë kolegëve tanë në opozitë arsye për të kapërcyer mbi vetveten dhe për të bërë për Shqipërinë atë që ka nevojë sot

”.

Opozita refuzoi ftesën e parë të kryeministrit dhe e braktisi mbledhjen e Komisionit të Ligjeve kur u votua hapja e procedurës për zgjedhjen e kreut të përkohshëm të Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas procedurës së miratuar nga shumica, kandidatët për këtë detyrë, kanë afat deri të martën në orën 18:00 për t’u regjistruar, duke paraqitur vetëm jetëshkrimin dhe një shkresë përmes të cilës shprehen se e pranojnë kandidimin. Kryetari i Komisionit të Ligjeve, tha në mbledhjen e Grupit Parlamentar Socialist se kandidatët duhet të jenë nga sistemi i drejtësisë dhe duhet të kenë 15 vjet pune, siç përcaktohet në ligj.

Tv Klan