Në një raport të publikuar në gazetën britanike “The Guardian”, thuhet se shqiptarët janë populli me numrin më të madh të klandestinëve të paligjshëm të hyrë në Mbretërinë e Bashkuar.

 Sipas disa statistikave të publikuara nga “Home Office”, 981 shqiptarë klandestinë janë kapur në portet hyrëse të Britanisë nga viti 2008 e deri në vitin 2016. Shqiptarët janë ata që mbajnë rekordin për numrin më të madh të klandestinëve të paligjshëm, në krahasim me kombësitë e tjera.

 Ky numër përfshinte një grup prej më shumë se 50 personash, duke përfshirë një grua shtatzënë, e cila u zbulua në një kamion në terminalin Humber në Killingholme pranë Grimsby në qershor të vitit 2015.

 Shqipëria nuk është pjesë e Bashkimit Evropian, por kufizohet me Greqinë, një vend anëtar i BE dhe mafia e këtij shteti kanë një reputacion të keq për policinë e Mbretërisë së Bashkuar, si njerëz të pamëshirshëm dhe të pasjellshëm, si trafikantë dhe kontrabandistë droge.

 Afganët janë kombësia e dytë me numrin më të madh të klandestinëve të paligjshëm që kanë hyrë në Mbretërinë e Bashkuar, me 425 kapje në port gjatë të njëjtës periudhë, duke u ndjekur nga algjerianët (424), iranianët (348), amerikanët (322), palestinezët (129) dhe vietnamezët (124). Këto përfshijnë emigrantët e zbuluar në terminale, aeroporte, porte dhe limane.

 Ndërkohë që një pati një vërshim emigrantësh nga viti 2015, ka pasur një rritje të madhe në numrin e iranianëve, sirianëve dhe irakianëve që janë kapur duke hyrë në Mbretërinë e Bashkuar në mënyrë të paligjshme. Në tremujorin e parë të vitit 2016, janë zbuluar 122 iranianë në portet e hyrjes në Mbretërinë e Bashkuar, së bashku me 31 sirianë dhe 21 irakianë. Gjatë asaj periudhe tre mujore u gjetën 318 emigrantë klandestinë në portet në Mbretërinë e Bashkuar, në krahasim me 556 persona në vitin 2015 dhe 681 persona në vitin 2014.

 Shumica e emigrantëve të paligjshëm janë kapur para se të mbërrinin në Britaninë e Madhe me kamionë në Calais dhe portet e tjera kontinentale evropiane për udhëtarët. Megjithatë, shifrat e reja tregojnë se qindra persona çdo vit hyjnë në Mbretërinë e Bashkuar pa u kapur. Në një nga operacionet më të suksesshëm të forcave të kufirit, u zbuluan 68 emigrantë në pjesën e prapme të katër kamionëve në Harwich në Essex, duke përfshirë dy gra shtatzëna dhe 15 fëmijë, në qershor të vitit 2015.

 “Home Office” u shfaqën të gatshëm për dhënien e informacionit, por refuzuan të pajtoheshin plotësisht me kërkesën fillestare të “The Guardian”, të bërë në maj të vitit 2016, ku u kërkuan emrat e porteve, stacioneve të trenit apo aeroportet ku ishin zbuluar emigrantët.

 Ata deklaruan se këto lloj të dhënash ishin të përjashtuara “me arsyetimin se kjo mund të ndikojë në funksionimin e kontrolleve të autoriteteve të emigracionit”./tvklan.al