Romina Selenica: Pas 5 aborteve dhe një adoptimi, në pritje të binjakëve

Sot do të kemi historinë e një gruaje që pavarësisht momenteve të vështira dhe sfidave, ajo nuk ka reshtur së përpjekuri për të realizuar ëndrrën dhe dëshirën e saj më të madhe, atë e të bërit nënë. Ajo ka luftuar për çdo gjë në jetën e saj, madje edhe kur prindërit nuk donin që ajo të largohej të studionte në Itali për mjekësi.

Një grua e suksesshme në karrierë, e cila sot ka klinikën e saj në fushën e mjekësisë estetike. Një nga dëshirat më të mëdha për të ama, ishte ajo për t’u bërë prind. Ne e kemi pasur pjesë të paneleve tona të së shtunës, por sot do ta kemi në një rrëfim personal për jetën e saj.

Pas 5 aborteve të vështira, Romina Selenica është në pritje të ëmbël (në muajin e 6 të shtatzënisë), jo të 1 por 2 fëmijëve, pasi janë binjakë, vajzë dhe djalë. Vjen sot për të na rrëfyer historinë e saj të dashurisë e deri tek familja e bukur që do ndërtojë së shpejti.

Humbi koncertin e Giusy Ferreri-t dhe gjeti dashurinë: Nisi si flirt, më pas humbi 40 kg për mua

Romina Selenica është kirurgia plastike që ka qenë shpeshherë pjesë e paneleve në “Rudina” në Tv Klan, por këtë herë vjen për të rrëfyer historinë e saj. Në moshën 18-vjeçare ajo vendosi që pas 12 vitesh studimi në piano, ta braktiste për të ndjekur ëndrrën e mjekësisë në Itali.

Me shumë punë e mund, u diplomua me rezultate të larta dhe vazhdonte praktikën në Shqipëri me planet që Italia do të kthehej në shtëpinë e saj. Të gjitha këto plane u përmbysën një ditë kur humbi koncertin e Giusy Ferreri-t por takoi djalin që do t’i vidhte zemrën, Anduelin.

Romina Selenica: Unë kur kam qenë 26 vjeç, sapo kisha mbaruar universitetin e Mjekësisë së Përgjithshme, vija te një nga spitalet në Shqipëri për të bërë praktikën. Në fakt, kjo ka qenë e vetmja pjesë e fatit në jetën time: takimi i ne të dyve. Nuk duhet të vija unë në Shqipëri, duhet të vinte një kolegia ime. Në moment të fundit, ndërrohet dhe ishte koncerti i Giusy Ferreri dhe një mikeshë më thotë “do vish?” sepse duke qenë se jeton në Itali, është këngëtarja ime e preferuar. Mua qëllon më vonohet avioni, nuk e kap dot koncertin dhe insistojnë që unë të shkoj në kafe ku ishte edhe Andueli. Në fillime nuk jemi përshëndetur.

Rudina Magjistari: Pra po të kishe hyrë në koncert, s’do kishe shkuar në kafe dhe s’do ishit parë?

Romina Selenica: Absolutisht. Edhe nëse do kishte ardhur koelgia ime dhe jo unë në atë udhëtim, me jetën që bënim ishte e pamundur që ne të takoheshim. Në atë kafe ne as nuk jemi përshëndetur, as nuk kemi folur, madje ka qenë një tension reciprok ku jemi ironizuar me njëri-tjetrin.

Rudina Magjistari: U gjendët në një tavolinë apo si ndodhi?

Romina Selenica: Ishin miq të përbashkët që na kishin ftuar si Andin, si mua dhe unë pashë një njeri të sigurt, një njeri që fliste me plot pasion për punën, për profesionin e tij dhe thoja “o Zot i madh, ka gjysmë ore që vetëm flet”, ishte totalisht e kundërt plus që ishte një moment që unë e kisha ndarë mendjen që nuk do të vija më në Shqipëri, sapo kisha mbaruar studimet, kisha filluar punë dhe mendoja se jeta ime do të ishte Italia dhhe ishte çdo gjë kalimtare, nuk kisha sy për të parë ndoshta as të mirën që po më vinte. Falë insistimit të Anduelit, i them e ke bërë një gjë të mirë në jetë, Andueli më kontaktoi në rrjetet sociale dhe po shihte refuzim dhe thotë “nuk e kuptoj çfarë halli ke”, i them dëgjo, unë jam thjesht tranzit këtu, do iki. Thotë “po mirë, në rregull, bëjmë një gjë perëndimore, mos e merr kaq seriozisht”.

Rudina Magjistari: “Bëjmë një gjë perëndimore”, ç’donte të thoshte ai me këtë?

Romina Selenica: Domethënë diçka jo shumë serioze, le të kemi një flirt.

Në një nga bisedat e takimit të parë mes tyre, Romina kujton se si mes ngacmimeve i tha Anduelit se “për të dalë me të, duhet të humbiste 40 kilogramë”. Pas 2 muajsh, ritakimi do të ishte befasues dhe aty lindi dashuria.

Romina Selenica: Jemi ritakuar në Pisa pas dy muajsh dhe unë nuk e kam njohur Anduelin, aq ishte dobësuar dhe thashë nëse ky njeri ka kaq shumë vullnet për të bërë diçka se realisht të ndryshosh fizikun apo të heqësh dorë nga një e mirë siç është ushqimi është sakrificë shumë e madhe dhe përtej kësaj zbulova edhe shpirtin e bukur të sakrificës së Anduelit. Lindi një dashuri.

5 aborte dhe një adoptim, kirurgia realizon dëshirën e mëmësisë me shtatzëninë e binjakëve

Plotësimi në karrierë si kirurge plastike, gjetja e njeriut me të cilin ndan jetën dhe më pas bashkëjetesa me të solli natyrshëm dëshirën e Romina Selenicës për t’u bërë nënë. Megjithatë, rruga nuk do të ishte aspak e lehtë sepse ëndrrat e saj shkëputeshin në javën e 10-të. Në një rrëfim për “Rudina” në Tv Klan, kirurgia tregon përjetimin e vështirë të aborteve pasi ka kaluar 5 të tillë.

Rudina Magjistari: Cila ka qenë më e forta?

Romina Selenica: E dyta. E dyta sepse të parën nuk e ndjeva, nuk e përjetova aq shumë sepse nuk e dija që kisha qenë dhe e zbulova në momentin që ndodhi aborti. E dyta ka qenë përjetim si ajo shtatzënia tipike që ti bën ato fotografitë me ekon, ndien rrahjen e  zemrës, fillon të mendosh që ti do të bëhesh nënë dhe fillon të projektosh jetën ndryshe, pra unë tani nuk do të shkoj më në Itali, karriera ime është kështu, në sallë nuk do të jem, pra ndryshon. Në momentin që unë pranova faktin që do të bëhesha nënë, ndodhi aborti.

Rudina Magjistari: E mban mend momentin?

Romina Selenica: Ka qenë 1 Qershori, e mbaj mend shumë mirë.

Kirurgia shton se shpesh dëgjonte fjalë se ajo i ishte përkushtuar karrierës dhe mëmësia nuk ishte në planet e saj. Aborti për të ishte një sfidë që e përballoi 5 herë, gjithashtu adoptoi në distancë një fëmijë në Zanzibar por pas gjithë stuhisë, çifti u bekua me një shtatzëni binjakësh, djalë e vajzë.

Romina Selenica: Ishim të papërgatitur, erdhi pas një operacioni që unë bëra vjet në muajin mars i cili shkoi shumë mirë, fatmirësisht. Patëm periudhën e pushimit që duhet të bënim dhe kishim vendosur që do ta provonim edhe njëherë, nëse sërish do të shkonte në abort, unë realisht isha gati në dorëzim. Edhe trupit fizikisht nuk i bën mirë, por edhe emocionalisht një abort është një vdekje. Dhe Zoti kishte përgatitur që ne të  dy… në fakt kur kemi zbuluar që ishin binjakë, ne nuk e kemi ebbsuar dhe kemi mbi 3 muaj që të ishim të sigurt që do të shkonte, që do të ecnin të dy, aq më tepër pastaj gjinia që kishte qenë qershia mbi tortë.

Në fakt mbaj mend një episod, çdo ditëlindje, duke filluar nga 30-ta, kur fryja qirinjtë kisha këtë dëshirë, “ishalla viti tjetër Zoti më gjen 30+1”, pra30 unë plus një fëmijë, bëra 30+2 dhe Zoti ndoshta të na japë mundësinë që të jemi 30 unë, bashkëshorti dhe fëmija 2 të tjerë. Të njëjtën gjë e përsërita për të tretë dhe kur kam fryrë qirinjtë e vitit të fundit, pra vjet kam thënë nuk kam çfarë i fryj më se s’mund të jemi 4 dhe realisht i kam fryrë qirinjtë duke thënë Zoti plotësoftë dëshirën e mëmësisë. Këtë vit, më ka gjetur 34 vjeç dhe ne jemi 4 pjesëtarë në familje.

Përlotet mjekja, prindërit e surprizojnë për lajmin e shtatzënisë: Erdhi në momentin e sëmundjes së babit

Pas shumë përpjekjesh, sfidash, humbjesh, kirurgia plastike Romina Selenica po shijon një shtatzëni të shumëpritur. Për më tepër, lumturia është e dyfishtë pasi do të bëhet nënë binjakësh, djalë e vajzë. Gjatë rrëfimit të saj në “Rudina” në Tv Klan, ajo shprehu edhe sa janë lumturuar familjarët nga ky lajm, të cilët e mësuan në ditën e Krishtlindjeve përmes një surprize.

Por surpriza këtë herë kthehet mbrapsht. Prindërit i kanë dërguar dr. Rominës një videomesazh surprizë ku i përçojnë lumturinë dhe krenarinë vajzës së tyre.

Babai i dr. Rominës: Ne jemi mësuar me surprizat e bukura që na ke bërë, por kësaj radhe menduam që të të surprizojmë ne ty sepse na ke bërë gjithmonë, gjithë jetën tënde, si në shkollë, edhe në punë, krenarë. Ti je një vajzë ose grua që do ta kishte zili çdo prind. Siç ke zemrën, Zoti ta shpërbleu me punën tënde.

Nëna e dr. Rominës: Sot jemi më të lumtur se kurrë. Së shpejti do të sjellësh në jetë dy engjëjt e tu që ne mezi i presim me babin. Zoti shpërbleu dhe bekoi me dy fëmijë. Ashtu siç je një vajzë dhe një grua e fortë që nuk ndalesh për asgjë, jemi të sigurt që do të jesh një nënë e shkëlqyer. Ti Romina nuk e pret këtë surprizë, por ja edhe ne jemi surpriza.

E përlotur, kirurgia shpreh habinë dhe dashurinë për ta ndërsa rrëfen se ky mesazh vjen në një moment delikat për familjen.

Romina Selenica: Nga janari ne jemi duke luftuar me sëmundjen e babit kështu që në një moment që ne ishim shumë të gëzuar për ardhjen e dy bebave, Zoti më vuri sërish në një vështirësi dhe unë gjatë gjithë kësaj kohe jam vajtje-ardhje nga Italia për t’i mundësuar kurat babit kështu që kjo është një video për mua jo emocionues, por më shumë, nuk e prisja./tvklan.al

Si të dalloni vezët e freskëta? Gjithçka duhet të dini për to

Do të flasim në këtë pjesë për vezët. Pothuajse çdo ditë konsumojmë vezë, është një nga produktet që nuk mungon asnjëherë në tryezën e çdo shqiptari, por cila mënyrë përgatitjes së tyre sugjerohet më shumë për të ruajtur vlerat e tyre ushqyese?

Vezë fshati, vezë fabrike, të bardha, bezhë, ngjyrë kafe, konsumatorët shpesh mbeten konfuzë përballë alternativave. Por ndonjëherë edhe përballë faktit, si t’i kuptojmë nëse janë të freskëta apo jo?

Kush ishte Roberto Cavalli? Jeta personale e stilistit të njohur

Bota e modës i dha lamtumirën një prej stilistëve të saj më të famshëm, Roberto Cavalli-it. Do të flasim në këtë pjesë për gjeniun kreativ të koleksioneve të jashtëzakonshme të veshjeve, çantave dhe aksesorëve, Roberto Cavalli, i cili ka ndërruar jetë në Firence, në moshën 83-vjeçare pas një sëmundje të gjatë nga e cila vuante prej kohësh.

Ai ka lënë pas gjashtë fëmijë, më i vogli Giorgio vetëm një vjeç. Mediat italiane thonë se në momentet e fundit të jetës, pranë stilistit ka qenë partnerja e tij, Sandra me të cilën ai bashkëjetonte prej 15 vitesh. Por kush ishte Roberto Cavalli? Për të folur me gjate rreth stilistit te njohur Roberto Cavalli kemi ftuar në studio gazetaren, Elda Laze.

/tvklan.al