Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë kërkuar zyrtarisht falje Britanisë së Madhe për akuzën se ish-presidenti Barack Obama kishte përdorur shërbimin sekret britanik për të përgjuar telefonat e presidentit amerikan Donald Trump. 

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer ka kërkuar falje personalisht, pasi deklaratat e tij të mëparshme shkaktuan një incident të vërtetë diplomatik mes dy vendeve. 

Ambasadori britanik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës Kim Darroch u shpreh për mediat britanike se kishte biseduar personalisht në telefon me zëdhënësin e Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer dhe ky i fundit i kishte premtuar se një gjë e tillë nuk do përsëritej më asnjëherë. 

Akuzat për përdorim të shërbimeve sekrete britanike nga ana e ish-presidentit Obama u publikuan nga mediat amerikane për t’u përforcuar më pas nga Spicer.

Agjencia britanike e shërbimeve sekrete në Londër, e përfshirë dhe në skandalin e Datagate, bëri një përgënjeshtrim publik duke shtuar se ishte një absurditet dhe dyshimet ishin tërësisht qesharake e duheshin injoruar.

 Dyshimet e para të publikuara në faqen e parë të Daily Telegraph, u hodhën nga ish-gjykatësi amerikan Andrew Napolitano, komentues për Fox News. Por më pas ka ndërhyrë dhe Spicer duke lënë të kuptohet se akuzat e Trump ndaj Obamës mund t’i referoheshin përgjimeve për llogari të ish-presidentit nga agjencitë e vendeve aleate si Britania e Madhe.

Politika britanike reagoi ashpër ndaj këtyre akuzave. Lideri i opozitës liberal demokrate britanike, Tim Pharron, një kritik i Trump, deklaroi se presidenti amerikan po komprometonte marrëdhëniet mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në kuadër të shërbimeve të sigurisë për të mbuluar dështimet e tij./tvklan.al