Katër futbollistë të kategorisë U21 janë proceduar në gjendje të lirë pas sherrit që ndodhi të martën në përfundim të ndeshjes Erzeni-Partizani.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shijak kanë referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, “Dëmtime të tjera me dashje”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Prishja e qetësisë publike”, për 4 lojtarë të 2 ekipeve të futbollit, konkretisht shtetasit J. H., 20 vjeç, R. Ç., 20 vjeç, J. S., 18 vjeç dhe M. D., 22 vjeç”, njoftoi policia.

Uniformat blu thonë se të rinjtë janë konfliktuar pas ndeshjes dhe kanë dëmtuar ambientet e dhomave të zhveshjes. Siç është raportuar edhe më herët, dy prej tyre kanë mbetur të lënduar, por ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë policia thotë se organizatorët e ndeshjes nuk i kishin njoftuar për këtë sfidë mes dy skuadrave U21./tvklan.al