Policia britanike ka shkatërruar një fabrikë kanabisi në një banesë në Manchester dhe për këtë është dënuar një shqiptar. Sipas asaj që bëjnë të ditura mediat, skema e rritjes së drogës u zbulua pas një sherri.

Autoritetet kishin marrë njoftim se një person po rrihej në rrugë nga katër persona të maskuar. Mirëpo kur arritën në vendin e ngjarjes nuk gjetën asnjë person.

Në këtë mënyrë trokitën derë më derë për të folur me dëshmitarë të mundshëm të sulmit. Por rastësisht ata zbuluan 110 rrënjë marijuanë që po rriteshin në disa dhoma. Për rritjen e drogës ishin përdorur pajisje të ndryshme.

Në pranga gjatë aksionit që u zhvillua me 4 Mars ra një 28-vjeçar me iniciale E.V., i cili ishte fshehur në një dhomë gjumi. Sipas mediave nëse droga do të dilte në treg do të arrinte fitime me vlerë deri 250 000 Paund.

I riu shqiptar doli përpara gjykatës së fundmi dhe pranoi se ishte marrë me këtë punë të pistë. Megjithatë, avokati i tij, sqaroi se ai ishte shfrytëzuar nga bandat kriminale dhe se ishte nisur për në Britani me qëllim për të pasur punë në ndërtim.

Por kjo nuk e bindi gjykatësin që e dënoi të riun me 12 muaj dhe pas lirimit nga burgu i riu do të deportohet në Shqipëri./tvklan.al