Merkel ishte planifikuar të takonte Presidentin amerikan, Donald Trump të martën. Kancelarja gjermane tha se ishte rrugës për në aeroport të hënën, për të fluturuar për takimin e parë me presidentin Trump, kur ai e kishte telefonuar për të shtyrë takimin si pasojë e një stuhie dimërore.

Stuhia e cila pritet të godasë verilindjen e SHBA-ve ka detyruar kompanitë ajrore të anulojnë qindra fluturime dhe disa shtete kanë vendosur mbajtjen e shkollave mbyllur të martën.

“Reuters” tha se pas një bisede dhjetë minutëshe me Trumpin, Merkel vazhdoi rrugën e saj drejt aeroportit të Berlinit për të informuar personalisht reporterët që do të fluturonin drejt SHBA-ve me të.

“Udhëtimi është anuluar. Nuk është shaka,” tha Merkel para dhjetëra gazetarëve të surprizuar në aeroport.

Kjo nuk është hera e parë që Merkel anulon një udhëtim si pasojë e kushteve atmosferike. Në vitin 2010 ajo u detyrua të anulonte udhëtimin e saj në SHBA pas shpërthimit të një vullkani në Islandë./tvklan.al