Kriza politike dhe një “happy and” shqiptar…?!

Pas 3 muajsh krizë politike dhe qëndrimit të opozitës në cadër, mazhoranca dhe opozita arritën marrëveshjen për zgjedhjet.Në orët e para të mëngjezit Rama e Basha thanë se kanë gjetur dakordësinë e plotë.” Stop” sjell disa nga deklaratat më “pikante” të 3 muajve të nxehtë politikë deri në fundin “happy and”.

Skandali, medikamente të ndaluara shiten lirisht në farmacitë bujqësore.

Në farmacitë bujqësore në Shqipëri, medikamentet e ndaluara me ligj tregtohen lirisht, duke vënë cdo ditë në rrezik jetën e qytetarëve.Gazetarët e emisionit “Stop” kanë blerë me lehtësi antibiotikë të ndaluar në Tiranë, Durrës, Lushnjë e Berat.Por atë, që “Stop” e bëri me lehtësinë më të madhe, e ka të pamundur shteti.Në një komunikim me kryeveterinerin e Tiranës, Sulejman Kullolli, ky i fundit thotë, se nuk janë konstatuar ilace të ndaluara dhe tregon masat teorike, nëse ka shkelje.Po kështu AKU përgjigjet, se nuk ka medikamente jashtë listës së miratuar.

Ministria e Bujqësisë, duke u bazuar në normat e Bashkimit Europian, prej vitit 2013 ka ndaluar importimin dhe përdorimin e disa produkteve mjekësore veterinare të caktuara. Por emisioni “STOP” ka konstatuar se përveç faktit që vazhdon importimi dhe përdorimi i tyre, ato edhe mund të blihen lehtësisht në çdo farmaci bujqësore. Këto produkte të ndaluara vazhdojnë të përdoren dhe si rrjedhojë transmetohen edhe te njerëzit, për shkak të konsumimit të produkteve të kafshëve.

Kamera e fshehtë e emisionit “STOP” ka vëzhguar farmacitë bujqësore në qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe ka rezultuar se mund të blihen fare lehtë.

Farmacia 1 në Berat

Qytetarja –Metri…?

Farmacisti – Metri Cef.

Qytetarja – Ke?

Farmacisti – Kam. Ja!

Qytetarja – Më jep një!

Farmacisti – Metri Cef 3.

Qytetarja – Po!

Farmacisti – Një. Ja!

Qytetarja – Sa bën kjo?

Farmacisti – Shtatë.

Qytetarja – Shtatë mijë lekë (të vjetra)?

Farmacisti – Po!

Farmacia 2  në Berat

Qytetarja – Më duhet nga këto?

Farmacistja – Fumidil nuk ka më për…

Qytetarja – Bletët.

Farmacistja – Dimetritazol, po! Dimetritazolin, sa gjela deti ka?

Qytetarja – Ai më tha nja tre, për tre gjela deti.

Farmacistja – A tre gjela deti ka?

Qytetarja – Sa bën kjo?

Farmacistja – Ja, do t’i vej një pesëqind lekëshe. Se tre gjela deti, gjysëm luge kafe me ushqim.

Qytetarja – Mbaji lekët!

Farmacistja – Gjysëm luge kafe.

Farmacia 1 në Lushnjë

Qytetarja – Më fal! Dua këtë Calcio Colier Forte, po e dua të Reafarm–ës?

Farmacisti – Tani, të Reafarm-ës e kam. Se ky i Reafarm–ës, është shoku im nga Fieri, Agroni. Do një shishe? Tani Linco me Spectino INJ e kam unë.

Qytetarja – Epo mirë, ma jep!

Farmacisti – Jepja atë të Reafarm-ës! Ajo është për çalën e deleve, ose për çalën e lopëve.

Qytetarja – E di, e di.

Farmacisti – Mund ta përdorësh.

Qytetarja – Sa është kjo?

Farmacisti – Kjo është tetë mijë lekë (të vjetra).

Farmacia 2 në Lushnjë

Qytetarja – Vaksinë për murtajë?

Farmacistja – Këto janë të gjitha që merren me porosi, asnjë gjë nuk merret që ta kesh prezente në farmaci. Të gjitha merren me porosi sepse këto e kanë shumë afat-shkurtër skadencën. Ça të them unë?! Ti edhe po porosite do lësh kaparin këtu. Unë do pyes kompaninë sa është të vijë këtu, do lësh kaparin, se mua më ka ndodhur…

Qytetarja – Po, për sa ma sjell?

Farmacistja – Nuk e di! Nuk të gënjej dot.

Qytetarja – Nesër psh?

Farmacistja- Jo jo, s’e besoj. Sepse unë do bëj furnizimin. Ata vijnë atë ditë që kanë funizimin. Nuk vjen ai nga Tirana këtu për një vaksinë.

Farmaci në Durrës

Qytetarja – Si ia kalove?

Farmacistja – Mirë. Si je ti?

Qytetarja – Më ka dërguar babi për një ilaç për derrat.

Farmacistja – Keproceryl. Kekops është ky.

Qytetarja – E, se nuk di unë ta lexoj. Edhe këtë për demat.

Farmacistja – Kekops. Tashi, kjo është keproceryl.

Qytetarja – Po!

Farmacistja – Kjo është kekops.

Qytetarja – Po, 2.5%.

Farmacistja – 2.5%. Tashi, këto të dyja do ti?

Qytetarja – Po. I ke ti këto të dyja?

Farmacistja – I kam.

Qytetarja – E sa kushtojnë?

Farmacistja – Gjashtë kushton ky (keprocerol) dhe pesë (kekops), njëmbëdhjetë (mijë lekë të vjetra).

Qytetarja – A do ma japësh këtë të derrave? Pesë mijë lekë (të vjetra) bënte?

Farmacistja – Atë të 2-tin.

Qytetarja – Po, të dytin. Po!

Farmacistja – Po!

Farmaci në Tiranë

Qytetarja – Si jeni?

Farmacistja – Si kalove?

Qytetarja – Mirë. Doja t’ju pyesja për një ilaç për bletët, fumidal.

Farmacistja – Ti do fumidil, nuk e kemi. Nuk është në qarkullim.

Qytetarja – S’është më ë? 

Farmacistja – Nuk ka në qarkullim, kudo që ta kërkosh se është e ndaluar nga ministria.

Qytetarja – Se më tha edhe për një tjetër babi, demitritazol.

Farmacistja – Për ça e do?

Qytetarja – Për gjelat e detit.

Farmacistja – Dëgjo! Kjo jepet me peshë. Jepet një gram për 20 kilogram. Një mijë e pesëqind lekë (të vjetra).

Qytetarja – Ok! 

Gazetarja e emisionit “STOP” komunikoi me Sulejman Kullollin, kryeveterinerin e Tiranës në Ministrinë e Bujqësisë, për ta pyetur se çfarë po ndodh me antibiotikët e ndaluar të kafshëve, që vazhdojnë të tregtohen në Shqipëri dhe për rrezikshmërinë e tyre.

Kryeveterineri

–  Unë nuk kam raste të tilla të identifikuara, që të të them diçka ty.

Gazetarja – Ju nuk keni informacion për diçka të tillë?

Kryeveterineri

–  Që qarkullojnë ilaçe të paregjistruara? 

Sigurisht që ato mund të kenë hyrë dhe mund të hyjnë në ndonjë mënyrë, po nga kontrollet që ne kemi ushtruar nuk na ka rezultuar.

Gazetarja – Nëqoftëse këto përdoren, çfarë rreziku kanë?

Kryeveterineri –  

Antibiotikë, të cilët fshihen nga lista, fshihen për arsye sepse dalin substanca apo antibiotikë të tjerë me veprime më të… pa veprime anësore, sidomos për njerëzit. Veterinerët përgjithësisht janë privatë, punojnë nëpër klinika private, inspektohen, po normal ata në qoftë se kanë medikamente të tjera, nuk i mbajnë që t’i kapim ne, e kupton?

Por nga inspektimet, nuk na ka rezultuar ndonjëëë… medikament që është i rrezikshëm. Tani unë nuk kam raste të tilla që të të them. Por nuk i përjashtoj mundësitë që dikush mund të fusë edhe në rrugë jolegale, me çanta, a ku di unë.

Gazetarja – Çfarë ndodh nëse konstatohet një rast i tillë?

Kryeveterineri –  

Kur konstatohet një gjë e tillë merren masa, në qoftë se ka subjekte që merren e fusin medikamente, gjobiten, mund të shkojnë deri në heqje license.

Pas kësaj bisede, gazetarja e emisionit “STOP” iu drejtua Autoritetit Kombëtar të Ushqimit për të pyetur se si është e mundur që kanë hyrë në Shqipëri këto produkte mjekësore veterinare, që janë të ndaluara nga Ministria e Bujqësisë. AKU përgjigjet se nga informacionet e ardhura nga Pikat e Inspektimit Kufitar rezulton se produktet mjekësore veterinare të importuara janë të miratuara nga Komisioni Shtetëror i PMV në Ministrinë e Bujqësisë. Gjithashtu thonë se këto produkte të importuara janë të pajisura me certifikatën e tregtimit, në përputhje me nenin 85 të këtij ligji, si dhe ndodhen në listat shtesë të produkteve mejkësore veterinare, të miratuara nga “Autoriteti Kompetent”.

Por jemi përpara faktit që këto produkte mjekësore veterinare të ndaluara mund të blihen lehtësisht nga çdokush.

Denoncimi në Stop për mungesën e defibrilatorit, hetime për vdekjen e Sokol Bares.

Disa javë më parë emisioni “Stop” denoncoi përmes intervistës së infermierit të urgjencës Frrok Bardhi, vdekjen e ish zëvendësministrit të brendshëm Sokol Bare, për mungesë të një defibrilatori.Bëhet e ditur, se prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për këtë ngjarje, pas deklaratave në media. Emisioni Stop ka ngritur disa herë cështjen e mungesës së kushteve në urgjencën e Tiranës dhe së fundi edhe vjedhjen e një defibrilatori.