Banalitet në parlament, kur diskutohen përmbytjet.

Salla e parlamentit u përfshi sot sërish nga situata banale, ndërsa diskutohej për përmbytjet dhe dëmshpërblimet. Kryeministri Rama e cilësoi paraadhësin Berisha “llaxore” dhe kaq mjaftoi, që te ndizeshin gjakrat. Flamur Noka u cua në foltore, duke penguar fjalën e kryeministrit, gjë që i kushtoi përjashtimin nga seanca.

Koncensionari gjerman dhe kontrata abuzive i sjellin humbje Portit të Durrësit.

Një master plan i vitit 2009, i miratuar me VKM në qeveri, e ndan Portin e Durrësit në 6 sektorë kryesorë. Por me një kontratë të çuditshme në fillim të vitit 2013, një pjesë e portit iu dha me koncension kompanisë gjermane EMS APO. Kontrata në fjalë devijoi master planin dhe e strukturoi portin në 4 sektorë.

Sot koncensionari gjerman EMS ka tejkaluar kontratën dhe bën edhe punë që nuk i takojnë, si shkarkimi i tubave të TAP-it, mallrat gjenerale, mbushja e kontenierëve,ndërkohë që duhet të ishin pjesë e punës së stivadorëve.

Gazmend Tahiri, drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme Detare, thotë se këtë katrahurë nuk po e zhbën dot as qeveria, pavarësisht se porti ka humbje të mëdha nga kontrata abuzive.

Për sa i përket kontratës që lidhi kompania gjermane EMS APO me Ministrinë e Transportit, në muajin Maj të vitit 2013, drejtori i Drejtorisë Juridike APD, Elio Jani shprehet se nuk ka dokumentacionin përkatës për të shpjeguar se përse është devijuar master plani nga kontrata koncesionare. Drejtori Jani pohon se kjo kontratë nuk ka zbatuar master planin e miratuar në vitin 2009, nga VKM.

Kontrata koncesionare e kompanisë gjermane EMS APO e strukturoi portin në 4 sektorë, terminali lindor, perëndimor, i kontinierëve dhe i pasagjerëve.

“Operatori ekonomik në këtë rast ka qenë mjaft i privilegjuar, shteti jo”,

tha drejtori i Drejtorisë Juridike të Autoritetit Portual Durrës.

Më datë 23.09.2015, Gazmend Tahiri, drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme Detare autorizoi EMS të marrë të gjithë kompetencat për të zhvilluar aktivitetin e tre kompanive stivadore.

I pyetur nga gazetari i emisionit “STOP” nëse është zhvilluar një konkurs për t’ia dhënë këtë autorizim koncensionarëve, drejtori Tahiri thotë:

“Licenca jepet me baza konkurimi, autorizimi për të kryer këtë lloj procesi është njëlloj sikur të vijë një saldator, i cili kërkon të kryejë operacionin e saldimit, i thua duhet të kesh pincën, harkun elektrik dhe pas të gjithë këtyre parametrave i jep të drejtën të saldojë. Se ku do kryejë veprimtarinë, ajo është çështje e licencës”.

Por kur mendoi se kamerat ishin fikur, ai u shpreh:

“Një qeveri e tërë që kërkon ta zhbëjë atë dhe s’e zhbën dot. Nuk bëhet kjo as me gazetarë e as me ne”.

Një tjetër skandal i EMS APO është dhënia pa të drejtë e projektit TAP. Menaxheri i Përgjithshëm i projektit TAP, Karl Roberts nëpërmjet një letre thotë:

“Gjithashtu, ne do të donim të sillnim në vëmendjen tuaj se TAP ka marrë një letër mbështetjeje më datë 18 Mars 2016 nga Drejtori i Autoritetit Portual Durrës, i cili shprehte mbështetjen e tij për punën dhe autorizimin e EMS APO për të kryer shkarkimin e tubave për Projektin TAP në Terminalin Lindor”.  

Drejtori i Portit Durrës –

Porti humb në 100 lekë nëqoftëse 1 ton kushton 100 lekë. Po ta bënim tek Terminali Perëndimor merrnim 100 lekë, e bëjmë tek Terminali Lindor marrim 33 lekë. Pse duhet t’i humbim? Çfarë kushtesh më tepër ka ai nga ne? Asnjë gjë më tepër nuk ka…

Unë e kam hedhur, edhe pa dëshirën time. Më kuptoni, po ju flas shumë hapur sepse është një shqetësim real për mu

Sipas kontratës, EMS do të merrej me mineralet, por në territorin që ka zaptuar kryhet puna edhe për mallrat gjeneralë. Në kontratë nuk është parashikuar as mbushja e kontenierëve me minerale, megjithatë kompania koncensionare e bën.

Drejtori i Drejtorisë Juridike APD, Elio Jani thotë se kjo kompani nuk ka të drejtë t’i kryejë këto aktivitete.

Gazetari i emisionit “STOP” ve në dukje se Terminali Perëndimor, që është në administrim të Autoritetit Portual Durrës nuk është funksional, ndërsa ai Lindori, që është në administrim të EMS APO, puna vazhdon normalisht.

Kontrata koncensionare, e lidhur në Maj të vitit 2013, ka paralizuar Portin e Durrësit dhe punon vetëm gjysma e tij. Drejtori Jani thotë se Autoritetit Portual Durrës nga viti 2013 deri në 2015-n ka humbur rreth 420 milionë lekë të vjetra për shkak të kompanisë gjermane. 

“EMS APO nuk na jep pjesën tonë prej 11%, që na takon!”

Studentët një javë pa abone, kostoja finale njëlloj si të tjerët.

Abonetë për studentët, në bazë të rregullores duhet të dalin në çdo datë 23 për muajin pasardhës. Por në Dhjetor, deri në javën e parë të muajit, nuk kishte abone. Studentët janë detyruar që për një javë të udhëtojnë me biletë ose të blejnë abone në treg të zi.

Në administratën e “Qytetit Studenti” thonë se nuk kanë dijeni se kur vijnë abonetë, ndërsa vetë studentët shpjegojnë se nuk përfitojnë atë që u takon ligjërisht.

Sekretari i Transportit Urban, Ervin Shijaku thotë se fajin për vonesën e muajit Dhjetor e ka Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, por edhe festat që shtynë procesin.

Kamera e fshehtë e emisionit “STOP” iu drejtua administratës së “Qytetit Studenti” për të pyetur nëse kanë ardhur abonetë.

Studentja – Unë jam e interesuar për abonetë. A kanë ardhur?

Punonjësja –

Vijnë sot, po ka shku për t’i marrë.

Studentja – Po si ka mundësi se e di pse, neve si studentë i kemi paguar lekët që në datë 23.

Punonjësja –

E di shumë mirë, po ça të bëj unë? Kjo nuk varet nga ne.

Studentja – Sot është data 4, tani 6 mijë lekë, mua më duhet të shkoj në punë, shkoj në shkollë.

Punonjësja – 

Të kuptoj shumë mirë, e di shumë mirë.

Studentja – Gati 2 mijë lekë në ditë: 5 x 2=10 (mijë lekë).

Punonjësja –

Mos vazhdo më se këtë gjë ia kemi thënë atyre të shoqatës.

Studentja – Më shkon 16 mijë lekë, moj.

Punonjësja –

Po ça? Mos e merr fare, shko merre 16 që në fillim, që me datë 1. Ça të them unë?!

Studentja – Po më leverdis këtu se jam studente.

Punonjësja –

Po të them pra që nuk varet nga ne dhe këtë ankesën e tre mijë studentëve ne ia kemi çuar atyre dhe nuk ka.

Studentja – Pse i vonojnë?

Punonjësja –

Nuk e di.

Studentja – Sepse do vazhdojë përsëri me Dhjetorin, kështu e njëjta situatë.

Punonjësja –

As nuk diskutohet se kështu është, me datë 3 – 4 i marrim gjithmonë, sidomos kur vjen e shtuna, e diela në mes.

Studentja – Po pra, këto të tjerët i kishin nxjerrë sepse thoshin: a doni abone në autobus?!

Punonjësja –

Kush të thoshte?

Studentja – Për shembull Bashkia i ka nxjerrë këto.

Punonjësja –

Po janë të ndara moj vajzë, janë të ndara ato që shiten kështu nga Bashkia, janë të ndara këto tonat, të ndara ato të tjerat.

Studentja – Po ç’taksirat kemi ne tani të paguajmë 16 (mijë lekë).

Punonjësja –

Po te neve nuk ankoheni dot, nuk kam ça të bëj.

Studentja – Po ku të ankohemi?

Punonjësja –

Po ça të them unë?! Mos i marrim fare, ka rrezik muajin tjetër mos i marrim hiç edhe nuk do i merrni më po vazhduan kështu. Ka shumë mundësi që muajin tjetër të mos i marrim fare.

Një studente tregon se për të shkuar në shkollë i duhet të marrë dhe të kthehet me dy autobusë, pra i duhet të shpenzojë 160 lekë të reja në ditë. Ajo mundi të blejë abonenë e studentit, që kushton 600 lekë, më datë 5 Dhjetor, pasi kishte shpenzuar 800 lekë prej vonesës së saj.

Gazetarja e emisionit “STOP” iu drejtua Shoqërisë së Transportit Rrugor, ku komunikoi me sekretarin në lidhje me vonesat e abonesë së studentit.

Gazetarja – Abonetë e Dhjetorit duhet të dilnin që në fund të nëntorit, nga data 28, 29, 30, që të kishin mundësi me i blerë. Ndërkohë që aboneja i vjen në datën 5. Tani këtë koston e këtyre studentëve nga data 1 dhjetor deri më datë 5, kush i justifikon? Domethënë, ju si Shoqatë e Transportit Urban çfarë?

Sekretari – 

Ndodhin këto… ndodhin këto gjëra sepse Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve na i ka nxjerrë, na i ka dhënë me shumë vonesë. Ato të tjerat pastaj, kemi edhe ne tonat. Kjo punë kështu ka shkuar me një fjalë.

Gazetarja – Po ç’vlerë ka të dalë aboneja më datë 5? Zotëri, të lutem! Ti je prind… je prind, nëqoftëse fëmija jot do të ishte student…

Sekretari – 

Po pushimet? Pushimet…

Gazetarja – Lëre… nuk është argument pushimi. Të lutem shumë, juve duhet të keni rregulla.

Sekretari – 

Ti bën pushim?

Gazetarja – Bëj pushim unë! Duhet të kesh një datë, një datë fikse. Po s’mund ta nxjerrësh ti abonenë më datë 2, datë 5, datë 10, kur të teket ty, e mban “peng”. Me një porosi, numër të caktuar që ty të sjell një Drejtori Konvikti.

Sekretari –

Nuk po them se edhe neve s’jemi të kulluar, me një fjalë.

Gazetarja – Institucioni që e ka mbajtur “peng” kësaj radhe nuk mund ta nxjerrë kur t’i dojë qejfi. Mund të ketë ditën e pushimit, ta kishte planifikuar meqë fillojnë pushimet e festave të Nëntorit.

Sekretari – 

Nuk e nxorri, nuk e nxorri…

Gazetarja – Do ta nxjerrë më përpara. Po mirë tani, ato të janarit kur do të dalin? Çfarë date do të dalin? Sepse, nëqoftëse do të ecim me këtë logjikë, i bie që janë festat e fundvitit. Ti ke pushim, do të thuash ai ka qenë pushim, do dalin me vonesë.

Sekretari- 

Po jo me, janari s’do dali… në janar do dalin se s’bën! Do dalin tamam ato. Ishalla na i bën Drejtoria (e Tatimeve) tamam, në kohën e duhur!

Gazetarja – Keni një datë fikse, zotëri? Një datë fikse, si operoni ju?

Sekretari – 

Data fikse ka qenë më datë 22-23, nuk zbatohet fare.

Pas kësaj bisede, gazetarja komunikoi me kryetarin e Shoqërisë së Transportit Urban, Ervin Shijakun, i cili tha se vonesa ka ndodhur për shkak të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

Kryetari –

Përshëndetje!

Gazetarja – Përshëndetje z. Shijaku. Si kalove?

Kryetari – 

Mirë, Odeta! Si kaloni juve?

Gazetarja – Ne të emisionit “STOP” na ka ardhur një ankesë nga studentët që është vonuar aboneja. Në qoftë se aboneja e dhjetorit duhet të dilte që në 23 nëntor, studentëve u erdhi më datë 5 dhjetor. Përderisa këta studentë përfitojnë këtë abone të reduktuar, kush ia mbulon kostot nga data 1 deri në 5?

Kryetari – 

Ne i kemi marrë në datën 30 (nëntor), më 1 dhjetor në mëngjes janë tërhequr nga operatori. Sa janë bërë pullat gati, sa janë shpërndarë, i janë dhënë shkollave… Festat, pushimet, dita e shtunë, dita e dielë, i qëlluan të gjitha atyre.

Gazetarja – Dihen festat e Nëntorit, mund t’i kishin planifikuar pak më para, por është pjesë tjetër kjo.

Kryetari –

 Shiko, neve abonetë i marrim tek Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Ne na janë dhënë më datë 30, të gjithë operatorëve… Bashkia çon shkresën tek Tatimet; Tatimet e çojnë shkresën tek Shtypshkronja Shtetërore; Shtypshkronja Shtetërore prodhon abonetë dhe ia kthen Tatimeve. Tatimet lajmërojnë që operatorët të tërheqin abonetë tek zyra e Tatimeve.

Pushimet për festat e Nëntorit shtynë procesin e shpërndarjes së aboneve të studentëve, por a do të ndodhë e njëjta gjë edhe me ato të fundvitit. Mbetet për t’u parë në janar…