Emisioni “STOP” i rikthehet çështjes së Lumturi Pepës, qitëses profesioniste në klubin “Studenti”. Pak kohë më parë, ajo denoncoi abuzimet me dietat ushqimore nga ana e trajneres Djana Mata, por ky denoncim i kushtoi Pepës heqjen nga klubi me motivacionin se “është shprehur në media”.

Shkeljet për të cilat ajo foli i provon edhe trupi gjykues i KAS, duke e quajtur nul heqjen nga puna të Lumturi Pepës. Kjo e fundit kërkon kthimin në punë, pasi siç shprehet, personi abuzues, Diana Mata është në detyrë, ndërsa denoncuesja në mes të katër rrugëve.

Lumturi Pepa denoncoi në emisionin “STOP” abuzimet me dietat ushqimore që bënte trajneria e saj, Diana Mata.

Por ky denoncim bëri që Diana Nata të hiqte Lumturi Pepën nga klubi “Studenti” dhe të mos trajtohej më si sportiste profesioniste, për shkelje të njëpasnjëshme të Kodit të Etikës së sportistit duke u shprehur në media.

Pas auditimit që Ministria e Arsimit dhe Sportit i bëri Klubit Sportiv “Studenti” u vërejt se ky klub kishte kryer shkelje të njëpasnjëshme si: moszbatimi i organikës analitike sipas Urdhrit numër 81, datë 08.02.2010 të MAS-it duke paguar persona jashtë strukturës së miratuar në vend të sportistëve cilësorë, mosplotësimi i katër vendeve të punës sipas strukturës së miratuar, mosplotësimi i dosjeve të personalit me të gjithë dokumentacionin përkatës, rregullorja e brendshme u gjet e pa miratuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, mospërgatitje të statutit etj, ku kryesisht mbizotëronin shkeljet me pagat e personelit.

Këshilli i Arbitrazhit Sportiv e ka cilësuar të pavlefshëm shkresën e heqjes së Lumturi Pepës nga puna dhe ajo me të gjithë të drejtën e saj kërkon të rikthehet në punë.

“Në këtë moment jemi përpara dy fakteve të vërteta. Auditi nxjerr si fakt të drejtë denoncimin që ne bëmë në lidhje me trajtimin ushqimor të Diana Matës dhe fakti tjetër është që KAS-i nxori të pavlefshme shkresën e heqjes sime nga puna. I bëj një apel dhe një thirrje shumë të fortë institucioneve shqiptare, si një sportiste profesioniste me një karrierë 35-vjeçare, pasi sportistët profesionistë janë të paktë, shteti duhet t’i përkrahë dhe jo t’i hedhë në rrugë! Unë ia kam kushtuar jetën time sportit, nuk bëj dot pa të dhe dua të kthehem aty ku isha!”

Çfarë do të ndodhë me fatin e Lumturi Pepës, a do të kthehet ajo në punë dhe të na nderojë si një sportiste profesioniste që është apo do të ndjekë Lojërat Olimpike nga ekrani i televizorit në shtëpinë e saj?/tvklan.al