Rruga e Tiranës drejt kthimit në Superligë nis nga sfida me Ilirinë e Fushë-Krujës të shtunën në mbrëmje në “Selman Stërmasi”. Bardheblutë luajnë për herë të parë në historinë e tyre në ligën inferiore ku nuk duan të qëndrojnë gjatë.

Trajner i Tiranës, Ze Maria tha se “Ju thashë që kishim 3 objektiva, njërin e arritëm Superkupën dhe tani është kampionati që edhe pse është Kategoria e Parë duhet fituar, pasi rruga jonë është rikthimi në Superligë. Në fushën tonë duhet të marrin 3 pikët, pasi fati jonë përcaktohet në shtëpi. Do ta kemi të vështirë jashtë, ku fushat nuk janë në gjendje të mirë.”

Ze Maria mendon se lojtarët e tij do të motivohen nga fanella pavarësisht se marrin pjesë në Kategorinë e Parë. Trajneri i Tiranës kërkon përqendrim për të arritur synimet.

“Ne duhet të jemi të vëmendshëm dhe mos të bëjmë të njëjtin gabim si në pjesën e parë me Besën. Do të luajmë ndaj një ekipi më të vogël, por që do të bëjë diçka të madhe ndaj Tiranës. Përballë do të kemi kundërshtarë që mbrohen shumë. Unë mendoj se nuk duhet të mbështetemi vetëm te sulmuesit, por te i gjithë grupi për të shënuar.”

Pritet që Tirana ta nisë me një formacion të pak a shumë të ngjashëm me atë të finales së Superkupës./Tv Klan