Të paktën 4 fëmijë dhe një mësues kanë humbur tragjikisht jetën në Brazil, pasi një roje e sigurie i vuri zjarrin një qendre për kujdesin e fëmijëve.

Sipas BBC, burri i vuri zjarrin edhe vetes, në ndërtesën e cila ndodhet në Janauba, në shtetin e Minas Gerais.

Pamjet e publikuara në rrjete sociale tregojnë një skenë kaotike, prindër në panik që ulërasin dhe qajnë pasi morën vesh lajmin e tmerrshëm.

Të paktën 40 persona janë dërguar në spital. Mes tyre, 25, kryesisht fëmijë të moshës 4 dhe 5 vjeç, po trajtohen për djegie.

Policia e identifikoi autorin e kësaj ngjarjeje të rëndë si Damiao Soares dos Santos, 50 – vjeç. Ai vdiq në spital si pasojë e plagëve të marra.

Arsyet pas këtij sulmi mbeten të paqarta dhe autoritetet kanë nisur hetimet.

Mediat lokale shkruajnë se ai ishte pushuar nga puna muajin e shkuar për shkak të problemeve me shëndetin.

Ai mësohet se kishte shkuar në qendrën e kujdesit të fëmijëve për të dorëzuar certifikatën e tij shëndetësore dhe pikërisht në këtë moment nisi zjarrin.

Në një reagim në Twitter, Presidenti Michel Temer u shpreh i pikëlluar nga kjo ndërsa Kryebashkiaku i Janauba shpalli 7 ditë zi kombëtare./tvklan.al