Institucionet publike dhe kompanitë që janë në pronësi të shtetit vijojnë të mos paguajnë faturat e energjisë elektrike.

Ndërmarrjet e ujësjellsave kanë borxhin më të madh ndaj Operatorit të Energjisë Elektrike. Në fund të Tetorit detyrimi i tyre arriti vlerën e 87 milion dollarëve. 14 milion dollarë janë borxh i ri që këto ndërmarrje e kanë krijuar deri në fund të tetorit të këtij viti.

Por kompania OSHEE e ka të pamundur mbledhjen e detyrimeve. Burime zyrtare në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë thonë për Televizionin Klan se ndërprerja e energjisë për këto firma lë pa ujë qytetarët, edhe pse disa herë energjia është prerë për zyrat administrative, situata nuk është zgjidhur.

Dy vite më parë, me anë të një vendimi, qeveria bëri shlyerjen e një pjese të borxheve që sektori publik kishte për faturat e papaguara të energjisë, kjo nuk ka ndalur krijimin e detyrimeve të reja.

Edhe pse thesari i Shtetit duhet të ndalojë pagesat për subjektet që janë pjesë e listës së debitorëve të OSHEE-së, deri tani ky vendim nuk ka funksionuar. Vetë ujësjellësat arrijnë të faturojnë 1 litër ujë në 3 litra duke bërë që pjesa më e madhe e këtyre ndërmarrjeve të rrezikojnë falimentin.

Tv Klan