Kryeministri Edi Rama tha të hënën se, nëse Prokuroria do t’i shkojë deri në fund hetimeve për audiopërgjimin e publikuar nga opozita, në të cilat pretendohet se është kapur vëllai i ministrit të Brendshëm duke folur për trafik droge,

“njerëzit do të shikojnë diçka shumë tronditëse”.

I ftuar në emisionin “Mbrëmje në ABC News”, nga Gjirokastra ku zhvilloi mbledhjen e radhës së qeverisë, Rama tha se

“në rast se audio-përgjimi rezulton i manipuluar, tregon se ka një sulm ndaj Ministrit Xhafaj. Ndërsa nëse rezulton i vërtetë, atëherë ne do të duhet të rishikojmë pozicionin tonë.”

Mirela Milori: Mendoni që kanë të bëjnë edhe klanet brenda PS që mund të kenë një përballje me Z. Xhafaj dhe punën e tij?

Edi Rama: Unë nuk e mendoj këtë për arsyen e thjeshtë se e kam pak a shumë të qartë, le të themi 80 përqind të pikturës e kam të qartë se si është zhvilluar dhe po ju them se nëse prokuroria do t’i shkojë deri në fund, njerëzit do të shikojnë diçka që vërtetë është shumë tronditëse. Këtu janë përfshirë struktura.

Mirela Milori: A nuk mendoni se mund të intimidoni Prokurorinë?

Edi Rama: Absolutisht jo, sepse nuk bëhet fjalë për një çështje qëndrimi apo opinioni, bëhet fjalë për diçka që është matematikisht e sigurt. Mjafton që Prokuroria t’i drejtohet kujtdo agjencie ndërkombëtare që ka një laborator shkencor, që mund të nxjerrë të vërtetën dhe të marrë përgjigje. S’ka lidhje me si mund të intimidohet, është thjeshtë çështje teknike.

Kryeministri tha se sulmet e opozitës ndaj ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, nëpërmjet vëllait të tij Agron Xhafaj dhe Policisë së Shtetit kanë në sfond luftën kundër krimit të organizuar, si dhe trafikut të drogës.

“Në Vlorë Dëshmitari X njihet dhe s’ka asnjë të panjohur për Vlorën, njerëzit janë të habitur se si një njeri i marrë fund, nga

 rrugët e qytetit të kthehet në një hero mediatik. Të majtë dhe të djathtë janë të skandalizuar.”

Rama hodhi poshtë zërat, sipas të cilëve, Xhafaj i kishte kërkuar dorëheqjen.

“S’mund të jetë implikim fakti se një vëlla ka një vëlla.”

“Së pari, në pozicionin e Kryeministrit nuk mund të bëj vlerësime të bazuara mbi pretendime, por mbi fakte. Gjykoj punën dhe rezultatet. Nëse do të niseshim nga zërat, pasurinë më të madhe të paligjshme dhe aktivitetin më të madh të paligjshëm e kam unë. Kjo nuk është një arsye për të vënë në pikëpyetje njerëzit e mi, apo veten.

/tvklan.al