Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar ashpër pas shtyrjes së mbledhjes së Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve për marrjen e vendimit për imunitetin e deputetit socialist, Saimir Tahiri, për të cilin Prokuroria ka kërkuar autorizim për arrestim si i dyshuar për lidhje me trafikun ndërkombëtar të drogës.

Opozita e Bashkuar tashmë e ka marrë një vendim, largimi i Edi Ramës, një qeveri anti-mafia, është e vetmja rrugë që do të garantojë zbatimin e drejtësisë në vend, që të vendosë rendin dhe sigurinë. Mënyrat për ta arritur këtë, opsionet për të arritur deri aty po zvogëlohen me shpejtësi të madhe…I bëj thirrje çdo qytetari, që deri më sot ka qenë në dyshim apo skeptik sa u përket mundësive dhe gatishmërisë së Edi Ramës për të luftuar krimin, që pas shfaqes së sotme, t’i bashkohet qëndrimit tonë si opozitë… Po vjen ora të marrim në dorë fatet tona, vendi nuk mund t’ia lëmë kupolës mafioze, në dorë të narkoshtetit. Po vjen ora që të gjithë së bashku, të ndërmarrim hapat e duhur për t’i treguar vendin, për ta larguar nga qeveria, dhe për t’i hapur rrugë drejtësisë për Saimir Tahirin, Fatmir Xhafën, Edi Ramën dhe Kupolën mafioze.

Basha tha se me mbledhjen në Këshillin e Mandateve dhe Imuniteteve, Edi Rama u tregoi shqiptarëve se është në krah të Saimir Tahirit dhe se e vërteta e përbashkët që i lidh dhe inkriminon është shumë herë më e fortë se retorika e tij për të bërë drejtësi.

Askush nuk kuron prova për t’i hequr një privilegj Saimir Tahirit dhe për ta vënë atë si të barabartë me qytetarët e tjerë para drejtësisë. Provat administrohen nga gjykata. Faktet e bëra publike para shqiptarëve tregojnë qartë se parlamenti nuk ka rrugë tjetër përveçse t’i heqë një orë e më parë imunitetin Saimir Tahirit, që të vendoset para drejtësisë.

Me qëndrimin e sotëm të urdhëruar nga Edi Rama, Saimir Tahirit, iu blenë edhe 24 orë, gjatë të cilave do të shkatërrohen më shumë prova, do të lidhen dhe priten fije mes Saimir Tahirit, Edi Ramës, ministrave të tjerë të kabinetit Rama 2 që po kështu figurojnë në përgjimet e antimafias, do të çohen negociatorë dhe emisarë për të shantazhuar dhe blerë të vërtetën

”, tha Basha, në një prononcim për gazetarët jashtë selisë së PD-së.

Ai tha se largimi i Edi Ramës dhe një qeveri antimafia është e vetmja rrugë për të garantuar rendin dhe sigurinë në vend.

Pasi paralajmëroi se Tahiri dhe Rama do të prishnin provat në 24-orët që Basha tha se u blenë për shtyrjen e vendimit të Këshillit të Mandatave dhe Imunitetit, ai postoi pa koment denoncimin e një qytetari, sipas të cilit nga Porti i Vlorës është hequr sot një gomone që kishte qenë e Tahirit./tvklan.al