Në Beograd presidenti i zgjedhur Aleksandar Vuçiç ka paraqitur sot dorëheqjen e tij nga Parlamenti serb për pozitën të cilën e mbajti si kryeministër.

Në një debat televiziv, me liderin e liberalëve, Çedomir Jovanoviç, ai tha se nuk do ta njohë Kosovën, por se është gati të bisedojë dhe ta pranojë faktin se serbët jetojnë me shumë legjenda e mite.

Vuçiç ka thënë se marrëveshja e arritur për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, ishte një marrëveshje shumë e mirë për Serbinë krahasuar me rrethanat.

Sipas tij, në këtë marrëveshje kanë siguruar që të gjithë policët në Veri të jenë serbë dhe që asnjë shqiptar të mos mund ta vë këmbën në këtë pjesë.

Këtyre deklaratave i ka reaguar Edita Tahiri nga Prishtina.

Sipas saj zëvendësdrejtori i Policisë në Mitrovicë të Veriut është i kombësisë shqiptare. Ministrja për Dialog, ka thënë se Vuçiç është mërzitur sepse është shuar policia paralele serbe në veri.

Vuçiç ka fituar zgjedhjet presidenciale në raundin e parë më 2 prill, gati një vit pasi Partia Progresive Serbe fitoi zgjedhjet./KlanKosova