Prej 1 Janarit kryeqytetasit do të paguajnë më shumë për ujin e pijshëm që vjen nga rrjeti i ujësjellësit.

Nga 45 lekë për metër kub, çmimi shkon në 65 lek për metër kub.

Vendimi për ndryshimin e çmimit është marrë nga Enti Rregullator i Furnizimit me Ujë, pas kërkesës së paraqitur nga Bashkia e Tiranës.

Tarifa të reja për ujin e pijshëm do të aplikohen për të gjitha kategoritë.

Sipas vendimit të marrë nga Enti Rregullator institucionet publike do të paguajnë 140 lekë/m3, ndërsa për bizneset tarifa e re do të jetë, 155 lekë/m3. Furrat e bukës do ta paguajnë 95 lekë/m³, ndërsa ata që kanë pishina do të duhet të paguajnë, 170 lekë/m³.

Gjithashtu fatura e ujit nga 1 Janari do të shoqërohet edhe me dyfishim të tarifës fikse, e cila nga 100 lek bëhet 200 leke për të gjitha kategoritë.

Kërkesa fillestare për rritje te çmimit të ujit  dhe përfarimin e tij me shumicën e qyteteve në vend, erdhi nga ndërmarrja e ujësjellës kanalizime, të cilët e argumentuan për shkak të nevojave financiare për investime në rrjet.

Propozimi  i paraqitur në Këshill Bashkiak, ngjalli debate të forta, dhe u miratua pa votat e opozitës në këshill në mbledhjen e 26 Korrikut.

Tv Klan