Të ftuar:

Vangjel Dule,

Orfea Beci,

Mentor Nazarko,

Artur Zheji,

Artan Hoxha,

Pellumb Xhufi

Tema e mbrëmjes sonte në Opinion është “Himara ndez Tiranën dhe Athinën” nisur nga përplasja e fundit midis dy shteteve ku në qendër është Himara dhe përplasjet e fundit të ndodhura aty. 

Në lidhje direkte me emisionin “Opinion”, kryetari u Bashkisë Himarë, Jorgo Goro u ka dhënë përgjigje edhe pretendimeve të Athinës zyrtare se në Himarë po prishen shtëpitë e minoritarëve

Çfarë po ndodh z. Goro në Himarë?

Goro: Në kuadër të zhvillimit urbanistik të Himarës që ka nisur me qendrën, pra është një projekt i rilindjes urbane i inicuar nga qeveria shqiptare. Himara e ka shumë të nëvojshme këtë projekt për turizmin e saj.

Sa shtëpi, duhet të shprnonësohen?

Goro: Janë rreth 18 objekte, një shtëpi banimi dhe të tjerat që jepen me qera. Të gjitha objektet janë të regjistuara dhe do të shpronësohen në bazë të legjislacionit në fuqi. Deri tani vetëm 6 objekte janë të hipotekuara.

Çfarë janë pronarët e këtyre shtepive?

Goro: Janë himariotë, janë shqiptarë, objektet e tyre dhe janë pronarë autoktonë të Himarës që paguajnë taksat në shtetin shqiptar….

Ka një pretendim nga z. Dule, që nuk shembni një sërë objektesh të tjera në Himarë…

Goro: E para punës, ne nuk po bëjmë prishje masive në të gjithë Himarën. Ne po investojmë në një zonë të caktuar të Himarës. Të gjitha ato që pengojnë zhvillimin do të prishen. Nuk do prishim objektet që nuk prishin planin. Nga objektet që do të prishen janë edhe njerëz të mi, apo votues të mi….

Kryetari i PBDNJ-së Vangjel Dule i ftuar në emision i është përgjigjur me ironi fjalimit të Ramës sot në Parlament. 

“Është edhe më keq. Jam jo vetëm ai që pengoi Bashkimin Evropian por jam edhe armik i iniciuar nga vetë kryeministri. Jam në pozitë të vështirë. Duke përjashtuar Vangjel Dulen, jam i trondituar që të stigmatizohet një individ në këtë mënyrë nga kryeministri është e papranueshme. Mua mos më trajtoni si një deputet të Parlamentit grek. Greqia as nuk më ka thirrur as nuk jam ofruar për të bërë avokatin e saj.”

Analisti Mentor Nazarko, ndër të tjera, bëri me dije se për shkak të marrëdhënieve me Greqinë, historike, jetës së përbashkët dhe shpërnguljes së popullsisë mund të ketë individë të entitetit grek. Nazarko tha se i përmbahet tezes zyrtare, që u shpreh fuqishëm nga kryeministri i Shqipërisë, qoftë nëpërmjet postimit të djeshëm në facebook, qoftë edhe nëpërmjet qëndrimit të sotshëm në Kuvend që në Himarë nuk ka minoritet etnik grek.

Ligjin e Luftës që Greqia mban ndaj Shqipërisë ka ngjallur debate edhe në Opinion. Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule është shprehur se nuk ka Ligj Lufte, pasi sipas tij dekreti është abroguar nga Këshilli i Ministrave të Greqisë. Dhe këtë sipas Dules e ka thënë edhe ministri i Jashtëm grek Kotzias.

Vangjel Dule gjithtashtu ka komentuar deklaratën e kryeministrit Edi Rama, të bërë një ditë më parë në facebook, ku shkruante se Akropoli u shpëtua falë një shqiptari. Dule theksoi se një kryeministër ka një staf të mjaftueshëm, për të mos u ekspozuar në mënyrë të tillë të pariparueshme për faktin historik. Ai theksoi se Akropoli u bombardua nga Osmanët që e kishin shndërruar në depo baruti, pikërisht, ky ishte momenti që ai u godit dhe u shemb. Por, sipas tij, historia nuk është aspak ashtu siç e përshkruan kryeministri Rama në facebook, përkundrazi, është krejtësisht e kundërt. Edi Rama publikoi në adresën e tij në Facebook një gravurë ku dukej Athina e vitit 1670 dhe shkruajti se Akropoli vazhdon të qëndrojë falë shqiptarit Gjergj Dushmani, që i kërkoi venecianëve të mos bombardonin Athinën.