Gazetari Elvi Fundo, drejtues i platformës online CityNews dhe i radios Best, u bë pre e dhunës nga dy persona ende të panjohur. Ngjarja ndodhi parditen e kësaj të mërkure në afërsi të ish- stacionit të trenit, ku gazetari ka edhe zyrën e tij. Vetë fundo sqaroi në orët e pasdites se autorët e sulmuan pas shpine.

Fundo: “Dy persona më sulmuan nga pas me mjete të forta afër zyrës ne ore 10 e 30. Duke me shkaktuar disa plagosje. Faleminderit të gjithëve për mbështetjen dhe kurajon”

 Menjëherë pas ngjarjes reagoi ashpër Autoriteti i Mediave Audiovizive duke e konsideruar veprimin një sulm te drejtpërdrejtë ndaj fjalës së lirë.  Edhe Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë dënoi me forcë dhunën e ushtruar ndaj gazetarit Elvi Fundo. Ajo i bëri thirrje policisë që të zbardhë sa më shpejt këtë akt barbar dhe te vendose para ligjit autoret.  Dhunimin e gazetarit e dënoi edhe Partia Demokratike. Sipas saj kjo goditje ndaj lirisë së shtypit vjen në kohën kur qeveria është e angazhuar frontalisht në shantazhe dhe kërcënime ndaj medias me qëllim kapjen e saj totale dhe asgjësimin e fjalës së lirë.

Por, kryeministri Edi Rama, nëpërmjet një statusi të tij në Facebook, kërkoi mos-politizimin e rastit duke shprehur neveri për Partinë Demokratike. Edhe gazetati Fundo në reagimin e tij kërkon që kjo ngjarje të mospolitizohet.

Fundo: “Nuk besoj qe është sulm politik por vepër e krimit të financuar nga klane korruptive mediatike te lidhura me drogën. Inkurajoj dhe mbështes Policinë e Shtetit për zbardhjen e ngjarjes. Ju lutem mos bëni politike me sulmin banditesk ndaj meje. Republika e vjetër dhe e re mos mbrojnë bandite me pseudonime dhe trafikante ne media. As pole qe kërcejnë tek Rilindja dhe ju behet serenate nga PD.”

Ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri, i cili  vizitoi gazetarin  ne spitaline  Traumes, tha se policia është do të bëjë çmos për zbardhjen e ngjarjes.

Tahiri: “Erdha të vizitoj bashkë me drejtorin e Tiranës gazetarin Fundo dhe e garantova bashkë me drejtuesit e Policisë që do bëjmë maksimumin që kjo ngjarje të zbardhet dhe përgjegjësit të dalin para përgjegjësisë.” /Tv Klan