Pishat e djegura vazhdojnë të nxjerrin tym. Era e shkrumbit ndjehet përqark pyllit. Fatkeqësisht rigjenerimi do të jetë i vështirë. Zjarri preku shumë nga fidanët e rinj. Me pamje të ngjashme kanë përfunduar shumë ha pyje në malin e Shëngjinit.

Pisha shumvjeçare dhe ato të reja tani nuk ekzistojnë më. Zona turistike e “Ranës së Hedhun” ishte edhe më e prekura.

Flakët u afruan dhe vunë në rrezik resortet. Për shkak të terrenit të vështirë, zjarrfikëset dhe forcat e ushtrisë vetëm ndërprenë përparimin e tyre. Por, pushuesit u mjaftuan me shtëllungat e tymit të zi për të braktisur bregdetin.

Beteja me flakët në malin e Shëngjinit vazhdoi për disa ditë. Helikopteri me rezervuarin një mijë litër uji nuk jepte rezultate të shpejta. Nga ana tjetër forcat komando të ushtrisë përparonin me vështirësi në brendësi të pyllit.

Vatra qendrore ishte ajo e cila u ndez nga një bari 63-vjeçar që po hapte kullota të reja. Ai përfundoi në pranga, por pas la flakë që prekën kurorat me të bukura me pisha.

12 makina zjarrfikëse dhe 120 trupa komando e afro 100 punonjës vendorë e zjarrfikës u përballën me flakët. Por kjo ishte e pamjaftueshme për një situatë me përmasa të tilla. Drejtuesi i emergjencave, Shemsi Prenci e përfundoi drejtimin e operacionit në Shëngjin, duke i lënë një porosi shefave të tij.

Tv Klan