Shqiptarët e thanë fjalën e tyre.

Për katër vitet e ardhshme do të jetë Partia Socialiste që do të drejtojë vendin, e cila shpallet kështu fituese e Zgjedhjeve Parlamentare 2017.

Me plot 74 deputetë, socialistët rikonfirmohen në krye të qeverisë, por ndryshe nga 4 vite më parë ata do mund ta drejtojnë vendin të vetëm. 

Si forcë e dytë, me një rënie të ndjeshme nga katër vite më parë, Partia Demokratike do të ketë në Kuvend 43 deputetë. 

Lëvizja Socialiste për Integrim siguroi 19 mandate. 

Megjithëse LSI shënoi rritje në numrin e përgjithshëm të votave dhe të mandateve në parlament, ajo nuk është më një forcë përcaktuese e koalicionit qeveritar dhe për pasojë katër vitet e ardhshme do të jetë në opozitë, pas tetë vitesh në qeveri.

Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet futet në parlament me 3 mandate.

Ndërsa Partia Social Demokrate siguroi 1 mandat në Shkodër, me kandidatin Tom Doshi. 

Në këto zgjedhje është vendosur edhe një standard i ri në procesin zgjedhor në vend, pasi pa kaluar 48 orë nga mbyllja e kutive janë numëruar të gjitha votat dhe është shpallur rezultati përfundimtar.

Mbetet për t’u parë nëse Rama do ta krijojë qeverinë i vetëm apo në koalicion me PDIU-në dhe PSD-në. Deri më tani LSI ka konfirmuar se do të jetë në opozitë sëbashku me Partinë Demokratike./tvklan.al