Zgjedhjet e 11 Majit do t’i kushtojnë buxhetit të shtetit 1.3 milion Euro. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi këtë të premte fondin në total për 11 partitë politike në garë, ku pjesa më e madhe është ndarë për Partinë Socialiste dhe atë Demokratike.

Konkretisht, socialistët kanë përfituar 65 milionë Lekë, ndërsa PD merr 44 milionë Lekë. 9 milionë Lekë shkojnë për Partinë e Lirisë të Ilir Metës, Për Partinë Socialdemokrate të Tom Doshit janë vënë në dispozicion 3 milionë Lekë, ndërsa 2.6 milionë për Partinë Republikane të Fatmir Mediut.

Fatura e zgjedhjeve të 11 Majit pritet të fryhet shumë, sidomos prej votës së diasporës. KQZ i kërkoi qeverisë edhe 9.3 milionë Euro shtesë, ndërsa vetëm posta për diasporën, shkon mbi 12 milionë Euro.

Klan News