“Jemi këtu, në zemër të Tiranës, në sheshin ‘Skënderbej’, një hapësirë që zyrtarisht duhet të jetë nën garanci teknike deri në vitin 2029, por që çuditërisht sot ka nevojë për shuma të mëdha për mirëmbajtje. Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve dhe Ndriçimit Publik në Bashkinë e Tiranës ka hapur një tender me vlerë 1.7 milionë euro, që ngre shumë pikëpyetje, pasi kjo shumë do të shpenzohet për të pastruar shkallët e ndërtesa që as nuk janë në pronësi të bashkisë, apo për të krasitur pemët e për të fshirë pllakat”, thotë gazetarja e Tv Klan, Gerta Vasku.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve dhe Ndriçimit Publik në Bashkinë e Tiranës, kjo procedurë tenderimi, si marrëveshje kuadër, kryhet që prej vitit 2019 dhe ka afat 3-vjeçar. Aktualisht, pas përfundimit të kësaj marrëveshjeje me operatorin “Fusha shpk.”, kjo drejtori ka hapur sërish tenderin dhe është në fazën e vlerësimit të ofertave.
Në përgjigjen e dhënë për Tv Klan, Drejtoria e Rrugëve thotë se nuk ka kapacitete për mirëmbajtjen e sheshit “Skënderbej”.
“Bëjmë me dije se nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve dhe Ndriçimit Publik, gjatë këtyre viteve të zhvillimit dhe ndjekjes së kontratës së mirëmbajtjes dhe menaxhimit të sheshit ‘Skënderbej’, asnjë nga punonjësit e kësaj drejtorie nuk është angazhuar në kryerjen e shërbimeve të mirëmbajtjes të parashikuara në preventivin e punimeve të kësaj procedure. Nisur nga natyra dhe rëndësia specifike e sheshit ‘Skënderbej’, është vlerësuar nevoja që ka për mirëmbajtje të veçantë”.
Megjithatë, ajo ka në organikë 584 punonjës në total, ndërsa ndërmarrja e pastrimit dhe gjelbërimit ka 1,050 punonjës dhe Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit 320 të tjerë. Në total, strukturat që merren drejtpërdrejt me mirëmbajtjen dhe pastrimin e territorit të Bashkisë Tiranë numërojnë rreth 2,000 punonjës.
“Por ndërkohë që këtu, nën këmbët tona, hidhen miliona për mirëmbajtje, mjafton të largohesh vetëm pak metra nga ky shesh për të parë se si rrugët e Tiranës janë të mbuluara nga zhuli, pa vija të bardha apo pa ndriçim”, thotë gazetarja Vasku.
Mbetjet urbane, pluhuri e papastërtitë qëndrojnë me javë e muaj në anë të rrugëve. Në segmentet periferike, punonjësit e pastrimit nuk shfaqen thuajse asnjëherë.
Banorët nuk dinë më ku të ankohen.
“Shumë, të gjitha, pluhuri, mbeturinat”, thotë një qytetare.
“Në çdo drejtim po të shikosh, papastërtia në të katërta anët. Duken vetë ato, nuk është nevoja të flasim ne”, shton një tjetër qytetar.
“Shumë, ka pisllëk të madh. Këto rrugët duhet të fshihen në darkë, natën, kur populli ka ikur… dhe lahen ditën, na lagin e na bëjnë më shumë pis. Është pis”, vijon një tjetër.
“Na mbyti alergjia vetëm nga pluhurat. Na shkatërroi nga sytë”, shton një qytetar tjetër.
Sëmundjet që shkaktohen nga një mjedis i ndotur si ky janë të shumta, nga ato respiratore, tek infeksionet apo sëmundjet kardiovaskulare, ku grupet më të rrezikuara janë fëmijët, të moshuarit dhe gratë shtatzëna.
“Cenimi i cilësisë së ajrit është faktori kryesor i rritjes së shumë sëmundshmërive. Kryesojnë sëmundjet kardiovaskulare, patjetër të pasuara nga problemet respiratore, si te sëmundjet pulmonare, por është dhe atributi kryesor i shtimit të rasteve të astmës. Me rëndim klinik te pacientët ekzistues, por kemi edhe shtim të rasteve të reja me predominim në moshat pediatrike”, thotë për Tv Klan alergologia Alketa Ibranji.
Megjithatë, Bashkia e Tiranës e sheh si prioritare që 1.7 milionë euro t’i shpenzojë për lustrime në sheshin “Skënderbej”, sesa për të përmirësuar realisht jetën e qytetarëve.
Për më tepër, pamje të tilla të rrugëve të Tiranës ndikojnë edhe në imazhin e kryeqytetit që pret miliona turistë çdo vit, pasi milionat për mirëmbajtjen e sheshit “Skënderbej” nuk arrijnë ta fshehin zhulin që ka mbuluar rrugët e tjera pak metra larg qendrës.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 