6 shtator 2026 – Protestat në kryeqytet kanë vijuar prej 100 ditësh, duke shënuar një nga ciklet më të gjata të tubimeve në vend. Por çfarë ndodh më pas?

Për këtë u diskutua në emisionin e sotëm të “Opinion”, në Tv Klan, ku e ftuar ishte dhe Drejtorja e tvklan.al, Gerta Zaimi.

Ajo e cilësoi si një nga zhvillimet më të rëndësishme faktin që protesta ka përfshirë një pjesë të shtresës së mesme dhe ka dëshmuar se qytetarët mund të mobilizohen dhe të dalin në rrugë për të kundërshtuar problematika që i konsiderojnë të rëndësishme.

“Në 100 ditë protesta, edhe unë jam dakord që ka pro dhe kundër. Gjëja kryesore që tregoi është se Shqipëria mund të rezistojë. Unë një nga arritjet më të rëndësishme ishte një protestë qytetare, e shtresës së mesme. Mua më surprizoi se nuk e mendoja asnjëherë që do zgjaste kaq shumë. Mendoj që absolutisht tregoi se protesta ka një shtresë të mesme e cila u bë e vetëdijshme për problemet e mund të dalë në rrugë e të protestojë. Kjo për mua është një arritje shumë e madhe”, tha ajo.

Duke folur për origjinën dhe zhvillimin e protestave, Zaimi u ndal te çështja e Zvërnecit, duke argumentuar se kauza ambientaliste me të cilën nisi protesta nuk është më çështja kryesore që i ka nxjerrë qytetarët në shesh.

Sipas saj, çështja e mjedisit ka pasur një rol të rëndësishëm edhe në mënyrën se si protestat janë pasqyruar në mediat ndërkombëtare, veçanërisht për shkak të debatit që lidhet me projektet e Jared Kushner dhe Ivanka Trump në Shqipëri.

“Ka një gjë që dua ta theksoj. Fillohet me Zvërnecin. Pra fillohet me një çështje ambientaliste. Nuk janë çështjet ambientaliste gjëja kryesore për të cilën sot janë në shesh të gjithë njerëzit, se ne e shohim në sjelljen e përditshme të të gjithë shqiptarëve që nuk është çështje ambientaliste. Çështja ambientaliste me të cilën filloi protesta është argumenti me të cilin dolën në gazetat ndërkombëtare. Pra, nëse Shqipëria përmendet sot, në gazetat ndërkombëtare, në shtypin ndërkombëtar, përdoret kryesisht për çështjen e ambientit lidhur me Kushner dhe Ivanka Trump. Pra, ky qe argumenti me të cilin filloi protesta, dhe për të cilën ishte shumë e rëndësishme për shtypin ndërkombëtar. Kjo e bën që të jetë e kuptueshme që në organizim ka diçka që vjen nga jashtë. Pastaj për këtë edhe mund të diskutojmë. Por ajo që doli më tutje dhe që ishte gjëja pozitive dhe energjia e jashtëzakonshme pozitive, gjatë muajit të parë kur ishin të gjithë qytetarët”, tha ajo.

Zaimi ngriti pikëpyetje mbi mënyrën e organizimit të protestave dhe ndikimet që, sipas saj, mund të kenë ardhur nga jashtë. Megjithatë, ajo e cilësoi këtë si një analizë personale politike dhe theksoi se nuk disponon prova apo fakte që ta mbështesin këtë pretendim.

“Unë nuk kam prova, nuk kam fakte, bëj vetëm një analizë politike të asaj që shoh. Në analizën politike që shoh, ka disa duar, ku një dorë kryesore është ajo që kërkon argumenti ndërkombëtar Ivanka Trump dhe Jared Kushner. Kjo është për sa i përket ndërkombëtarëve”, tha ajo.

Ajo e krahasoi situatën me protestat në Beograd, duke theksuar se, sipas saj, kauza që ka mbajtur qytetarët në rrugë për 100 ditë nuk lidhet vetëm me çështjet mjedisore.

“Është i njëjti skenar si i Beogradit. Për mua. Por kjo është një analizë politike që e bëj nga jashtë. Shqiptarët 100 ditë atje nuk është për ambientin”, tha ajo.

/tvklan.al