Pasojat e luftës në Iran kanë kaluar përtej fushëbetejës, duke ndikuar drejtpërdrejt në tregjet globale të energjisë. Gjatë më shumë se një muaji përleshjesh mes SHBA-ve dhe Izraelit në njërën anë dhe Iranit në anën tjetër, çmimi i naftës Brent është rritur deri në rreth 50% në kulmin e krizës, si pasojë e pasigurive për furnizimin global.

Kjo rritje është reflektuar edhe në tregjet evropiane dhe në Kosovë. Si një vend pa rafineri, Kosova varet plotësisht nga importet dhe është e ekspozuar ndaj luhatjeve ndërkombëtare të çmimeve. Që nga fundi i shkurtit deri në mes të prillit, çmimet e derivateve janë rritur me mbi 50 centë për litër.

Autoritetet kanë ndërhyrë duke vendosur fillimisht kufizime për marzhën e fitimit dhe më pas çmime tavan për karburantet, por efektet e këtyre masave mbeten të diskutueshme. Bizneset që varen nga importi raportojnë rritje të ndjeshme të kostove dhe vështirësi në përballimin e tyre.

Sektori i prodhimit është ndër më të prekurit, pasi shumë lëndë të para lidhen drejtpërdrejt me naftën. Rritja e çmimeve ka ndikuar edhe në transport dhe furnizim, duke rritur më tej kostot operative. Në këto kushte, bizneset përballen me dilema mes uljes së fitimit ose rritjes së çmimeve për konsumatorët.

Të dhënat zyrtare tregojnë se inflacioni ka vazhduar të rritet, me një normë mujore prej 1.5% dhe vjetore prej 6.7%, duke konfirmuar trendin e shtrenjtimit. Kjo situatë vjen pas një periudhe të gjatë presioni ekonomik të shkaktuar nga pandemia dhe lufta në Ukrainë.

Ekonomia e Kosovës, e varur kryesisht nga importet, ndikohet drejtpërdrejt nga rritja e çmimeve të derivateve, të cilat përbëjnë një kosto bazë për pothuajse çdo sektor. Kjo ndikon në konkurrueshmërinë e prodhimit vendor, duke rritur rrezikun për ulje të prodhimit, mbyllje biznesesh dhe humbje të vendeve të punës.

Janë kërkuar masa shtesë si ulja e akcizës ose e TVSH-së për karburantet, por deri tani nuk janë ndërmarrë hapa të tillë për shkak të ndikimit në buxhetin e shtetit. Ndërkohë, disa vende të rajonit dhe të Evropës kanë ndërhyrë duke ulur taksat për të zbutur rritjen e çmimeve.

Institucionet në Kosovë thonë se po fokusohen në mbështetjen e sektorëve më të ndjeshëm, si bujqësia dhe transporti, përmes subvencioneve dhe skemave mbështetëse. Po ashtu, është në përgatitje një projektligj që synon të krijojë mekanizma për ndërhyrje në rast destabilizimi të tregut.

Nga ana tjetër, vlerësimet ndërkombëtare paralajmërojnë rrezik për ngadalësim të ekonomisë globale dhe rritje të inflacionit, sidomos në vendet në zhvillim. Në një skenar negativ, rritja ekonomike globale mund të bjerë ndjeshëm në vitin 2026.

Kosova mbetet ndër ekonomitë më të ndjeshme ndaj këtyre zhvillimeve, për shkak të varësisë së lartë nga importet dhe strukturës së brishtë ekonomike. Nëse çmimet vazhdojnë të rriten, pritet që efektet të reflektohen më tej në çmimet për konsumatorët dhe në performancën e bizneseve.

Edhe në rast të përfundimit të shpejtë të konfliktit, tregjet e energjisë nuk pritet të stabilizohen menjëherë, pasi pasiguria dhe problemet në furnizim mund të zgjasin për një periudhë të gjatë./Marrë nga REL

/tvklan.al