Pas rezolutës për integrimin, mazhoranca dhe opozita bashkuan votat edhe për ndryshimet në rregulloren e Parlamentit.

“100 vota “pro”, zero “abstenim”, asnjë “kundër”.”

Votën “pro” demokratët e argumentuan si një imponim nga ana e Gjykatës Kushtetuese, teksa akuzuan kryeministrin si njeri jo të kompromisit.

“Askush nuk duhet të mashtrohet nga ky episod i vogël kompromisi i rregullores, sepse kjo nuk është një kthesë reale demokratike, por një tërheqje e detyruar e Edi Ramës”, u shpreh Gazment Bardhi, kryetar i Grupit Parlamentar të PD-së.

Në emër të shumicës, Taulant Balla i kujtoi marrëveshjen e arritur në 2017-ën me opozitën e kohës, ku kreu i grupit kuvendor të demokratëve u emërua ministër i Drejtësisë.

“Ma ndje këtë replikë si shaka, se po mos bënte marrëveshje Rama, ti s’do ishe ministër i qeverisë Rama në CV-në tënde. Rama bën marrëveshje sa herë të doni, kur të doni e si ta doni, por vetëm të ulemi e të flasim. Sa herë të flasim, do prodhojmë marrëveshje të mira. Sot ka fituar parlamentarizmi”, deklaroi Balla.

Sipas dakordësisë të arritur në Kuvend, maxhoranca ka pranuar të heqë dorë nga kufizimi i kohës së deputetëve nga 10 në 5 minuta dhe po ashtu edhe nga detyrimi që institucionet e pavarura të raportonin përpara komisionit për nismat qytetare, të drejtuar nga Fatmir Xhafaj.

Mes amendimeve është edhe ai që parashikon se një deputet mund të firmosë për të mbështetur vetëm një kandidat për përfaqësuesit e institucioneve të pavarura që zgjidhen nga Kuvendi.

Ndryshimet prekin edhe disa nga rregullat e funksionimit të komisioneve parlamentare dhe dhënien e masave disiplinore. Sekretariati për Etikën do të ketë përfaqësim të barabartë mes mazhorancës dhe opozitës dhe përcaktuese do të jetë vota e sekretarit.

Pavarësisht amendimeve, socialistët arritën të mbajnë strukturën aktuale të komisioneve parlamentare, të cilat do të mbeten 11.

Tv Klan

/tvklan.al