Mikrobioma në 1000 ditët e para të jetës së një fëmije ishte tema e trajtuar këtë të mërkurë, më 13 maj, në emisionin “Shije Shtëpie”, në Tv Klan. E ftuara, mjekja neuro-pediatre Migena Kika, cilësoi se mirëqenia e mikrobiomës së zorrës në 2-3 vitet e para të jetës është vendimtare në mirëqenien totale dhe shëndetin e plotë të njeriut gjatë gjithë jetës së tij.
“Mikrobioma në 1000 ditët e para të jetës së një fëmije luan një rol të rëndësishëm në rritjen e faktorëve të rrezikut apo në uljen e faktorëve të rrezikut, për patologji afatgjata në individin që po rritet.”
Kika renditi disa ndikues që përcaktojnë mikrobiomën e bebes që nga konceptimi deri në ditën e njëmijtë të tij.
“Ajo çfarë bën nëna që nga momenti i konceptimit deri kur fëmija bëhet dy vjeç, mënyra sesi nëna është ushqyer, mënyra sesi nëna po e kalon shtatzëninë, ka kaluar apo jo infeksione, si është gjendja inflamatore e saj, çfarë medikamentesh merr, çfarë suplementesh merr, a është trajtuar me antibiotik apo jo, çfarë ka ndodhur me organizmin e nënës gjatë shtatzënisë, si është ndjekur dhe trajtuar shtatzënia dhe nëse ka ndodhur lindje natyrale apo jo, ndikojnë në mikrobiomën e bebes.”
Sipas saj, mikrobioma e një bebeje të lindur në kohë ndryshon me atë të një bebeje të lindur përpara kohe. Pediatria gjithashtu bëri të ditur se ushqyerja me gji e foshnjës, sidomos në gjashtë muajt e parë, është esenciale për një mikrobiomë të shëndetshme.
“Në vitet e para gjithashtu ndikojnë ushqyerja me gji apo me qumësht formulë dhe janë faktorë vendimtarë. Ushqyerja me gji kryesisht gjashtë muajt e parë është një faktor që i vë vulën formimit apo jo të një mikrobiome normale ashtu siç duhet të jetë. Ushqyerja me gji predispozon zhvillimin e një flore bakteriale ashtu siç i duhet bebit për të ndryshuar, trajnuar dhe mësuar sistemin imun të funksionojë në mënyrë të duhur.”
Mjekja nënvizoi gjithashtu se mikrobioma në 1000 ditët e para përgatitet dhe e mëson fëmijën deri në dy vjeç se si të ndërveprojë, të bashkëpunojë dhe të ndryshojë sistemin imun, i cili në këtë mënyrë edukohet për të mësuar sesi do të reagojë më pas përgjatë gjithë jetës.
“Sistemi imun e mbron organizmin e një qenieje njerëzore kundrejt sulmeve të jashtme që mund të jenë mikrobike, virale e të tjera. Sistemi imun ka dhe një detyrë edhe më të rëndësishme sesa mbrojtja: duhet të mësohet të reagojë, por jo të mbireagojë. Sistemi imun nuk duhet të reagojë më shumë seç duhet ndaj mikroorganizmave, patogjenëve dhe ndaj faktorëve të ndryshëm që mund ta ndikojnë, sepse duke mbireaguar rriten procese inflamatore në organizëm, të cilat janë baza e çdo sëmundjeje kronike.”
Nga ana tjetër, Kika bëri të ditur se fëmijët nuk duhet t’i rrisim me një higjienizim maksimal, por në kontakt me natyrën.
“Duhet të jenë në kontakt me dheun dhe me kafshët. Edhe kafshët shtëpiake luajnë një rol të rëndësishëm sa i përket pjesës së ndikimit në mikrobiomën e fëmijëve, të cilët përveç pjesës së rregullimit emocional, të qetësimit, japin edhe këtë benefitet për mikrobiomën e zorrës ashtu siç duhet. Sigurisht që duhet ta kemi higjienën, por jo sterilizim.”
Përsa i përket problematikave të çrregullimeve të neurozhvillimit, autizmit, ADHD apo neurodiversitetit në përgjithësi, neuro-pediatria theksoi se ato janë çrregullime neurobiologjike multifaktoriale, por nuk ka një lidhje direkte shkakësore të shëndetit të mikrobiomës, por mundëson rritjen e faktorit të rrezikut.
“Ka shumë evidenca që kanë gjetur një lidhje mes disbiozës në nivelin e zorrës dhe autizmit dhe çrregullimeve të neurozhvillimit. Si pjesë e trajtimit të fëmijëve me autizëm duhet të jetë dhe analizimi i mikrobiomës intestinale dhe trajtimi më pas me nutricionin dhe probiotikët specifikë për ta rregulluar zorrën dhe për të përmirësuar deri diku simptomat.”
/tvklan.al












Botërori 2026 