Ariana Grande ka ndarë me ndjekësit disa momente romantike me Ricky Alvarez, pas ribashkimit të tyre. Këngëtarja publikoi të hënën, më 2 nëntor, një seri fotografish nga përditshmëria e saj e fundit, ku në foton e parë shfaqet e përqafuar me partnerin, ndërsa të dy shihen duke shkëmbyer shikime në sy, në një ambient të rrethuar nga natyra.

Në një tjetër fotografi, Grande shihet duke e puthur Alvarez në ballë gjatë një daljeje në mbrëmje. Krahas postimit, ajo vendosi vetëm një zemër dhe tri pikëçuditëse.

Albumi i fotografive përfshinte gjithashtu momente nga turneu “Eternal Sunshine”, selfie me pamjen e saj të re dhe flokët e shkurtër ngjyrë kafe, si dhe fotografi me qentë e saj. Këngëtarja ndau edhe pamje nga një udhëtim i fundit, duke treguar veshjet dhe modelet e ndryshme të flokëve.

Historia e dashurisë mes Grande dhe Alvarez nisi në prill të vitit 2015 dhe përfundoi në korrik të vitit 2016. Thashethemet për një ribashkim nisën verën e kaluar, pas lajmit për ndarjen e këngëtares nga Ethan Slater, në qershor.

Dyshimet u shtuan kur Grande zbuloi një tatuazh që thuhet se është identik me atë të partnerit të saj. Pak kohë më vonë, ata nisën të shfaqeshin së bashku në dalje publike, ndërsa në shtator këngëtarja u fotografua duke shkëmbyer puthje me Alvarez, duke përforcuar zërat për rikthimin e tyre në çift.