Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka bërë me dije se ka përfunduar me sukses faza e parë e operacionit në terren për forcimin e ligjshmërisë fiskale në sektorin e produkteve bujqësore dhe blegtorale.
Ky proces është pjesë e një përpjekjeje të qëndrueshme të qeverisë për të formalizuar ekonominë informale dhe për të garantuar një treg më të drejtë dhe më të sigurt për konsumatorin shqiptar.
“Administrata Tatimore do të nisë fazën e dytë të monitorimit, që synon verifikimin në vazhdimësi shoqërimin e produkteve me faturë tatimore.”, u shpreh ministri Malaj në një postim në rrjetet sociale, ku bën me dije dhe rezultatet e para të arritura gjatë fazës së parë, brenda një kohe të shkurtër.
Kështu, në 20 ditë janë inspektuar 283 subjekte dhe janë bllokuar 103 tonë mallra që nuk përmbushnin standardet ligjore dhe të sigurisë ushqimore.

Sipas Malajt, qëllimi kryesor i këtij aksioni është: Formalizimi i plotë i zinxhirit të tregtimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale, rritja e sigurisë ushqimore për qytetarët dhe mbrojtja e konsumatorëve nga produktet e pasigurta dhe praktikat abuzive tregtare.
Ministria thekson se do të ketë “Zero Tolerancë” ndaj çdo subjekti, pjesë e zinxhirit të tregut të produkteve bujqësore dhe blegtorale, që operon jashtë kuadrit ligjor dhe që nuk pajis produktet me dokumentacionin përkatës fiskal./tvklan.al












Botërori 2026 
