Këto janë momentet e arrestimit të 29-vjeçarit S.V, i njohur edhe me mbiemrin L., në Levan të Fierit. Ai u kap 5 orë pasi vrau me thikë 20-vjeçarin Luis Miguel Varela Mendes, nga Portugalia, në një lokal në bregdetin e Ksamilit ku punonte si roje sigurie.
Pasi e kishte qëlluar disa herë me thikë, ai la trupin e të riut, që fillimisht u identifikua si francez, në shezlonget e Plazhit para lokalit pa shenja jete dhe u largua duke u fshehur në bagazhin e kësaj makine tip Ford.
Në drejtimin e makinës që po udhëtonte drejt Tiranës ishte E.P 31 vjeçe dhe pasagjer N.M. 38-vjeçar, te dy nga Turqia. Të dy bashkë u arrestuan për dhënie ndihmë të autorit, në mënyrë që të largohej, pasi kishin njohje të mëparshme me të.
Sipas njoftimit të policisë, e cila ka zbardhur edhe dinamikën e ngjarjes, e cila ndodhi në orët e para të së martës, në sherrin fillimisht fizik janë përfshirë edhe kamarierët. Por policia ka identifikuar dhe ka ngitur akuzë si bashkëpunëtor në vrasje për njërin prej tyre, i identifikuar si D.H, i cili pas ngjarjes është larguar nga vendngjarja dhe është shpallur në kërkim.
Policia ka arrestuar edhe 3 rojet e sigurisë së lokalit, të cilët janë me profesion policë. Konkretisht M.M, është punonjës policie në drejtorinë e Kufirit Gjirokastër dhe ka dyshime se ka ndihmuar autorin të largohej nga vendi i ngjarjes. L.S, me detyrë polic në burgun e Fierit dhe R.Sh punonjës policie bashkiake në Gjirokastër, po ashtu punonin në këtë lokal në Ksamil, paralelisht me detyrat që mbanin zyrtarisht. Ata akuzohen se nuk kanë parandaluar dhe nuk kanë njoftuar policinë për ngjarjen.
Policia për zbardhjen e dinamikës së kësaj ngjarjeje shoqëroi dhe mori në pyetje 41 persona. Ndërsa hetuesit janë duke zbardhur edhe pamjet e kamerave të sigurisë së biznesit ku ndodhi ngjarja, për të dokumentuar rolin e të përfshirëve në krimin e rëndë.
Sipas hetimeve paraprake, Policia thotë se vrasja e të riut portugez ka ndodhur pas një konfliki për motive të dobëta që lidhej për një vajzë. Fillimisht sherri ka nisur në ambientet e brendshme dhe më pas është zhvendosur në pjesën e plazhit.
Autori i ngjarjes së rëndë rezulton person me precendent kriminalë dhe i përfshirë në Angli në çështje të trafikut të drogës. Ndërsa në kërkim policia ka shpallur edhe pronarin e lokalit në Ksamil, B.B.
Vrasja e të riut portugez në Ksamil është një lajm i keq për turizmin në Shqipëri. Ajo është një goditje e rëndë për imazhin dhe sigurinë e Shqipërisë turistike, që ndodh në kulmin e sezonit turistik dhe vjen në vazhdën e dy ngjarjeve të tjera po të dëmshme për sigurinë e turizmit, si konflikti i pak ditëve më parë në një lokal nate në Sarandë apo zjarri në një hotel në Vlorë, ku mbetën të plagosur 6 pushues.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 
