Revista italiane “Si Viaggia” nxjerr në pah një tjetër anë të veçantë të bukurisë shqiptare, ishujt e saj në dete, liqene, lumenj, por edhe në ligatinat e zonave të mbrojtura.

Gazetarja italiane e specializuar për udhëtimet dhe turizmin, Marialuisa Urbano, shkruan se në zemër të Ballkanit, me pamje nga detet blu Adriatik dhe Jon, ndodhet një grup ishujsh të vegjël, pak të njohur, por autentikë, ku historia dhe natyra bashkëjetojnë në harmoni të përsosur.

Ajo i cilëson një thesar të pazbuluar dhe destinacione autentike, shpesh të egra, por gjithmonë surprizuese. 11 ishuj, nga veriu në jug, për të zbuluar anën më të habitshme të Shqipërisë.
Secili tregon një histori: për luftën dhe paqen, për murgjit dhe tregtarët, për natyrën e paprekur dhe traditat e qëndrueshme.

Në një kohë kur ndiejmë nevojën për përvoja më autentike, larg turmave, këta ishuj ofrojnë një alternativë interesante dhe të arritshme.

Revista sugjeron vizitorët: nëse duan të notojnë në ujërat e pastra të Ksamilit, të fotografojnë pelikanët në Lagunën e Kunës, të eksplorojnë rrënojat e zhytura në ishullin e Shurdhahut ose të ecin në heshtje midis pishave të Zvërnecit, një gjë është e sigurt: Shqipëria ishullore do t’ju habisë.

Ishulli i Sazanit

Gazetarja, ishullin e Sazanit e cilëson një histori mes valëve që të josh me misteriozitetin e tij, me natyrën e paprekur dhe gjurmët historike.

Pavarësisht madhësisë së tij relativisht të vogël, Sazani ofron peizazhe të larmishme.
Ishulli mban një trashëgimi të rëndësishme historike, të lidhur me pozicionin e tij strategjik në zemër të Mesdheut.

Nëse jeni të apasionuar pas historisë ushtarake, Sazani është një destinacion magjepsës dhe i pazakontë, ku çdo cep tregon një pjesë të historisë së kohëve të fundit.

Në vitet e fundit, interesi për ishullin e Sazanit është rritur edhe në frontin e investimeve, pasi Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump, ka konfirmuar investimin që tejkalon 1 miliard dollarë, me qëllim transformimin e Sazanit në një destinacion turistik luksoz me vila dhe hotele.

Zvërneci

Zvërneci, në zemër të Lagunës së Nartës pranë Vlorës, është një nga ishujt më ikonikë të Shqipërisë thuhet ne shkrim.

Ishulli është një simfoni pishash detare, shtigjeve të qeta dhe spiritualitetit. Një destinacion i preferuar për pelegrinët dhe fotografët, është vendi ideal për një shëtitje soditëse, ndoshta gjatë perëndimit të diellit, kur laguna bëhet e artë.

Ishulli i Kunës

Në shkrim identifikohet ishulli i Kunës, midis rërës, lagunave dhe zogjve shtegtarë.

I rrethuar nga Laguna e Marjanit dhe deti, nuk është vetëm një ishull me rërë midis ujit të ëmbël dhe të kripur, por një mikrokozmos ku mund të hasni flamingo, çafka, pelikanë dhe dhjetëra lloje zogjsh shtegtarë.

Ishulli i Malësorit

Ishulli i Malësorit është një tjetër aventurë lumore në Shkodrën autentike.

I fshehur midis gjarpërimeve të lumit Buna, Ishulli i Malësorit ndodhet disa kilometra larg Liqenit të Shkodrës.

I arritshëm lehtësisht me kanoe, duke u nisur nga fshati Obot, është perfekt për adhuruesit e aventurave të ngadalta.

Ishulli Franz Joseph, dikur pjesë e lumit Buna, ishte një ishull i vogël lumor për nder të perandorit austro-hungarez. Sot është zhdukur, i zhytur nga ujërat e lumit në vitin 2011.

Ishulli i Shurdhahut

Në pellgun artificial të Vaut të Dejës, ishulli i Shurdhahut është një xhevahir historik dhe natyror që strehon rrënojat e qytetit mesjetar të Sardës, dikur një udhëkryq i rëndësishëm kulturor midis rajoneve të Malësisë së Madhe, Mirditës dhe Zadrimës.

Sot, rrënojat kanë mbetur, por një pjesë e qytetit është e zhytur, duke krijuar një atmosferë unike.

Ishujt e Ksamilit, “Maldivet e Vogla” të Shqipërisë

Pranë plazhit kryesor te Ksamilit ndodhen katër ishuj shkëmborë, të zhytur në një det aq të pastër sa duket i pabesueshëm.

Ishulli i Tongos, plazhe të izoluara në kufirin grek

Tongo është një ishull i vogël shkëmbor në jug të Sarandës, shumë afër kufirit grek, i cili ofron plazhe të izoluara ideale për not dhe zhytje me maskë.

Ishulli i Tongos është destinacioni i përsosur nëse doni të shpëtoni nga turmat dhe të shijoni disa orë qetësie të plotë dhe kontakt me natyrën.

Ishulli i Stillos, një oaz i vogël kampingu

Pranë Tongos dhe bregdetit Jon ndodhet Stillos, një ishull i vogël i përsosur për kamping. Është pak më shumë se një shkëmb nënujor, por ofron një plazh të izoluar dhe pamje të mrekullueshme.

Maligrad, ishulli në liqen me kishën shpellë

Në juglindje të vendit, në kufirin me Maqedoninë e Veriut, shtrihet Ishulli i Maligradit, një vend i largët por magjepsës.

I zhytur në ujërat e qeta të Liqenit të Prespës, është një nga ishujt më spiritual dhe misteriozë të Shqipërisë.

Ishulli i Paqes, më i vogli dhe më domethënësi

Në liqenin e Komanit, në veri të Shqipërisë, i njohur për ujërat e tij të kaltra të vendosura midis maleve, ndodhet Ishulli i vogël i Paqes.

Është i vogël, por shumë sugjestiv. Ka formën e një harte të Shqipërisë, dhe në qendër të tij është një kryq, i ngritur si simbol i besimit dhe rezistencës gjatë regjimit komunist.

Klan News