Një zjarr i fuqishëm pyjor në jug të Spanjës ka shkaktuar 11 viktima dhe 19 të zhdukur, ndërsa autoritetet vijojnë betejën për vënien nën kontroll të flakëve.

Sipas autoriteteve spanjolle, zjarri shpërtheu në zonën pyjore pranë qytetit Los Gallardos, në provincën Almeria të rajonit të Andaluzisë, dhe u përhap me shpejtësi për shkak të erërave të forta dhe temperaturave të larta.

Rreth 150 zjarrfikës, të mbështetur edhe nga Njësia Ushtarake e Emergjencave të Spanjës, janë angazhuar në operacionin për shuarjen e flakëve. Zjarri preku veçanërisht fshatin Bedar, ndërsa autoritetet urdhëruan evakuimin e banorëve nga disa zona të rrezikuara.

Kryetari i bashkisë së Los Gallardos, Francisco Reyes, e përshkroi situatën si dramatike, duke deklaruar se flakët po përhapen me shpejtësi dhe se ekziston rrezik i madh edhe për një kamp turistik ku ndodheshin qindra persona.

“Situata që po përjetojmë tani është e tmerrshme sepse ka shumë erë. Zjarri filloi dhe është përhapur shumë shpejt. Na është dashur të evakuojmë banorët dhe tani po shkojmë drejt kampingut ku kemi edhe 400 deri në 500 persona. Jemi shumë të shqetësuar.”

Ky është zjarri më i fundit që godet Evropën Jugore, vetëm pak ditë pasi një tjetër vatër e madhe në jug të Francës detyroi evakuimin e mbi 10 mijë banorëve nga dhjetëra qytete dhe fshatra pranë kufirit me Spanjën.

Shkencëtarët paralajmërojnë se valët e hershme të të nxehtit gjatë muajve maj dhe qershor kanë tharë sipërfaqe të mëdha toke, duke krijuar kushte ideale për përhapjen e zjarreve.

Organizata Botërore Meteorologjike ka bërë të ditur se Evropa po ngrohet më shumë se dy herë më shpejt se mesatarja globale, duke rritur rrezikun e zjarreve dhe episodeve të temperaturave ekstreme.

GJERMANI

Ndërkohë, pasojat e vapës së fortë po ndihen rëndë edhe në Gjermani.

Instituti Robert Koch njoftoi se që nga fillimi i këtij viti janë regjistruar rreth 5 mijë e 120 viktima të lidhura me temperaturat e larta, shumica gjatë valës së të nxehtit në fund të muajit qershor.

Sipas raportit, afro 4 mijë e 270 viktima ishin persona mbi moshën 75-vjeçare.

Shërbimi Evropian për Ndryshimet Klimatike, Copernicus, bëri të ditur se Evropa Perëndimore përjetoi qershorin më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë, ndërsa autoritetet në Francë, Belgjikë, Spanjë dhe Holandë raportuan më shumë se 4 mijë e 700 vdekje shtesë gjatë valës së të nxehtit të periudhës 20–28 qershor.

Në Gjermani, situata ka nxitur edhe debat politik. Partia e Gjelbër ka akuzuar kancelarin Friedrich Merz se nuk ka reaguar ndaj pasojave të valës së të nxehtit dhe se qeveria po zbut politikat për mbrojtjen e klimës, në një kohë kur vendi synon të arrijë neutralitetin klimatik deri në vitin 2045.

LONDËR

Ndërsa Evropa përballet me temperatura gjithnjë e më të larta, edhe Britania e Madhe po përjeton valën e tretë të të nxehtit këtë vit.

Banorët e kryeqytetit britanik u përballën me vështirësi gjatë udhëtimeve me transportin publik, veçanërisht në linjat e metrosë, ku temperaturat e larta e bënë udhëtimin tepër të vështirë.

“Është intensive, është e vështirë. Mendoj se udhëtimi për në punë është ndoshta pjesa më intensive, pasi sistemi ynë i infrastrukturës është ndërtuar padyshim për 12 gradë deri në 15 gradë dhe tani është rreth 38 gradë. Të gjithë duken shumë më keq, të gjithë kanë ventilatorë elektrikë rreth qafës tani, spërkatës me ujë. Është e vështirë dhe mendoj se truri punon me një kapacitet shumë më të ngadaltë edhe në vapë. Është e vështirë, është e parehatshme”, pohoi një banore.

Shumë prej tyre thanë se ambientet e pajisura me ajër të kondicionuar në zyra ishin i vetmi lehtësim përballë vapës, ndërsa netët e nxehta po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë edhe gjumin.

“Duhet të mësohemi me këtë dhe të fillojmë të bëjmë më shumë, sepse me ndryshimet klimatike dhe gjëra të tilla, kjo nuk është më një rast i vetëm. E kemi këtë pothuajse çdo vit. Rekordi i ditës më të nxehtë thyhet vazhdimisht çdo vit. Kështu që mendoj se dy gjëra: duhet të përshtatemi më shumë, transporti duhet të përshtatet më shumë dhe gjithashtu duhet të adresojmë ndryshimet klimatike”, pohoi një banor.

Meteorologët paralajmërojnë se valët e të nxehtit pritet të bëhen më të shpeshta dhe më intensive në të gjithë Evropën, ndërsa ekspertët e klimës theksojnë se përshtatja me temperaturat ekstreme po kthehet në një sfidë gjithnjë e më të madhe për qytetet dhe sistemet shëndetësore.

Klan News

/tvklan.al